Qeveria Hoti, në 4 ministri nga 5 zëvendësministra

Sa ishte pjesë e opozitës ishte shumë kritik ndaj qeverisjes së Ramush Haradinajt për numër të madh të zëvendësministrave. Por, tash kur Avdullah Hoti është shef i Qeverisë, numri i zëvendësministrave nëpër ministri është me bollëk.

Kështu, Qeveria Hoti në katër dikastere ka nga pesë zëvendësministra, Në dy ministri të tjera nga katër zëvendësministra e në tri të tjera nga tre të tillë.

KALLXO.com ka siguruar listën e emërimeve të zëvendësministrave në Qeverinë Hoti. Në 15 ministri janë gjithsej 49 zëvendësministra.

Avdullah Hoti sa ishte shef i grupit parlamentar të LDK-së në opozitë, ditën kur u shpërnda Kuvendi i Kosovës, më 22 gusht, e quajti Qeverinë Haradinaj si “më të madhen në botë”. Krejt emërimet, sipas tij, i kushtonin shumë kuletës së shtetit.

“Qeveria e PAN-it do të mbetet në histori si qeveria më e madhe në botë. Më 454 të emëruar politik, kryeministri me 35 këshilltarë, 5 zv/kryeministra me 55 këshilltarë, 21 ministri me 147 këshilltarë, 80 zëvendësministra me 80 këshilltarë të tyre, me pesë koordinatorë, me nënkoordinatorë dhe me asistentë e nënkoordinatorë dhe përtej këtyre janë punësuar edhe 1 mijë e 200 veta me kontratë, prej cilëve 95 në zyrën e kryeministrit dhe 200 të tjerë në Telekom”, kishte thënë Avdullah Hoti nga foltorja e Kuvendit të Kosovës.

Qeveri të vogël me vetëm nga dy zëvendësministra e parashihte edhe programi qeverisës i LDK-së në zgjedhjet e fundit. Madje, në planprogram partia e Isa Mustafës nuk parashihte më shumë se 12 ministri e 24 zëvendësministra.

“Qeveria e Kosovës do t’i ketë 12 ministri, secila sosh me vetëm dy zëvendësministra. Të gjitha pozitat e koordinatorëve nacionalë dhe trupave të tjerë të krijuar në ndërkohë do të shuhen në ditën e parë të punës së qeverisë së re”, thuhet në plan programin qeverisës së LDK që quhet “Beso.”.

Por, tani zv.ministrat janë shtuar në shumicën e ministrive.

Kështu, pesë zëvendësministra janë emëruar në dikasterin të cilin e udhëheq Arban Abrashi i LDK-së. Në Ministrinë e Infrastrukturës deri më tani zv.ministra janë emëruar: Artan Berisha, Arton Retkoceri, Hamza Balje, Xhavit Zariqi dhe Muhamet Gashi

Në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që drejtohet nga Vlora Dumoshi e LDK-së janë emëruar po ashtu pesë zëvendësministra: Engelbert Zefaj, Qazim Rrahmani, Valdete Bajrami, Arbër Grabovci dhe Halil Matoshi.

Edhe në Ministrinë që udhëhiqet nga një tjetër anëtar i LDK-së, Besian Mustafa, atë të Bujqësisë janë emëruar pesë zëvendësministra: Erxhan Galushi, Enver Hoti, Bajram Kastrati, Bahrim Shabani dhe Nehat Ramadani.

Pesë zëvëndësa i ka edhe një ministër i partisë së Ramush Haradinajt. Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit që udhëhiqet nga Blerim Kuçi deri më tani ka zëvendësministra: Muharrem Sfarqa, Ergin Bunjaku, Rexhep Kadriu, Muharrem Nitaj dhe Burbuqe Bakia-Deva.

Dy dikastere të tjera të Qeverisë Hoti kanë emëruar nga katër zëvendësministra. Ajo e Punëve të Brendshme dhe ajo e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Zëvëndës të Agim Veliut janë emëruar: Yildiray Bayram, Zafir Berisha, Agron Bacaj dhe Milan Radojeviq.

Ndërsa, në Ministrinë e Meliza Haradinajt deri më tani janë emëruar si zëvëndësministra: Bekim Brestovci, Teuta Sahatqija, Muhamet Brajshori dhe Gani Dreshaj.

Në tri dikastere të tjera, atë të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Financave dhe Ministrinë e Shëndetësisë, deri më tani janë emëruar nga tre zv/ministra.

Bashkim Krasniqi, Besart Dreshaj dhe Adnan Redzeplar janë zëvëndsministrat në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Agim Krasniqi, Kushtrim Bahrimaj dhe Jasmina Jovanovic janë zëvëndësat e Hykmete Bajramit që udhëheq Ministrinë e Financave.

Deri më tani dikasteri i Armend Zemajt, Ministria e Shëndetësisë, ka kata tre zv.ministra: Luan Gola, Resul Makreshi dhe Pjetër Ndou.

Në pesë ministri, Hoti ka emëruar deri më tani nga dy zv/ministra. Kështu, Enis Sulejmanoviq dhe Selim Kryeziu janë në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim. Fatbardha Emini dhe Magbule Shkodra në Ministrinë e Pushtetit Lokal. Nexhat Ramadani dhe Qerim Bajrami në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Driton Bardheci dhe Xhavit Rexhaj në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Muhamedali Mergjollari dhe Sadika Kofrc në Ministrinë e Mbrojtjes.

Dy ministritë ku janë emëruar vetëm nga një zëvendësministër deri më tani janë ajo e Drejtësisë, ku zëvendësministër është Florian Dushi dhe ajo e Zhvillimit Rajonal ku zv.ministër është Eldis Abazi.

Mashtrimi i LDK-së për qeveri të vogël

www.kallxo.com