Qeveria Hoti - Foto: ZKM
Qeveria Hoti heq "orën policore"
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës është vendosur që të hiqet kufizimi i lëvizjes nga ora 21:00 deri në orën 05:00.
Ky kufizim i lëvizjes së qytetarëve është hequr me rekomandim të ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Por, Zemaj ka kërkuar që të respektohen në mënyrë strikte rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
“MSh mundëson liri të plotë të të njerëzve dhe mallrave. Kemi adresuar shumë kërkesa të qytetarëve. Nga e hëna hiqet edhe kufizimi i lëvizjes nga ora 21:00 deri në 05:00 e quajtur si ora policore. Kërkojmë që në mënyrë strikte të respektojnë masat. Inspektoratet detyrohen t’i zbatojnë rekomandimet dhe të marrin masat në rast mos përgjegjësie. Çdo shkelje e rregullave konsiderohet rrezikim i jetës tonë dhe të tjerëve”, ka thënë Zemaj në mbledhjen e Qeverisë.
Përveç heqjes së kufizimit të lirisë së lëvizjes, gjatë kësaj mbledhjeje është vendosur që nga e hëna qytetarët që hynë në Kosovë nuk do t’i nënshtrohen vetizolimit 7 ditor.
Zemaj ka shtuar se këta qytetarë do t’i nënshtrohen kontrollit të detajuar në pikat kufitare.