Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Qeveria Hoti emëron më pak zëvendësministra në Ministrinë e Drejtësisë

Ministria e Drejtësisë në Qeverisë Hoti udhëhiqet nga ministri Selim Selimi, i cili është nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Sipas emërimeve që janë bërë deri më tani, në këtë ministri për dallim nga ministritë e tjera ku numri i zëvendësministrave është më i madh, në Ministrinë e Drejtësisë është emëruar vetëm një zëvendësministër.

Në dokumentin e lëshuar nga Qeveria e Kosovës për KALLXO.com figuron se zëvendësministri i vetëm i Ministrisë së Drejtësisë është Florian Dushi, i cili është emëruar në këtë pozitë me 17 qershor.

Lidhja Demokratike e Kosovës kishte premtuar se do të bënin reduktim të zëvendësministrave nëpër dikasteret e ekzekutivit kosovar.

Por në krahasim me ministrisë e tjera, ku janë emëruar rreth pesë zëvendësministra, njëjtë nuk është vepruar edhe me Ministrinë e Drejtësisë ku është emëruar vetëm një zëvendësministër.

Dushi ka qenë Zëvendës Ministër i Drejtësisë edhe gjatë qeverisë së Isa Mustafës në vitet 2016-2017.

Ai ka garuar në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit për deputet nga radhët e LDK-së.Dushi ka qenë anëtar i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) si përfaqëues i LDK-së në periudhën 2007-2016.

Ka shërbyer si Sekretar i Përhershëm në Ministrinë e Drejtësisë (maj 2008 – qershor 2010), si dhe Këshilltar i Lartë Politik i Ministres së Ministrisë së Drejtësisë, Znj. Nekibe Kelmendi (2008).

Që nga viti 2004 është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ndërsa ka qenë i zgjedhur nënkryetar i Degës së LDK-së “Qyteti i Vjetër” në Prishtinë,  anëtar i Kryesisë Qendrore të Forumit Rinor të LDK-së, si dhe kryetar i FR të LDK-së, “Qyteti i Vjetër” në Prishtinë.

Së fundi, Dushi ishte propozuar edhe si zëvendësministër në Ministrinë e Drejtësisë edhe gjatë kohës sa kjo ministri udhëheqej nga Albulena Haxhiu nga Qeveria Kurti.

KALLXO.com ka raportuar për ministritë të cilat në Qeverinë Hoti kanë deri në pesë zëvendësministra.

“Oda” e burrave në Ministrinë e Arban Abrashit