Qeveria Hoti e konsideron të panevojshëm projektligjin e Vjosa Osmanit për pandeminë

Qeveria e Kosovës po e konsideron të panevojshëm hartimin e ligjit për menaxhimin dhe parandalimin e pandemisë.

Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj në mbledhjen e qeverisë, paraqiti opinionin e ezkekutivit duke thënë se menaxhimi i pandemisë është mjaftueshëm i rregulluar me legjislacionin në fuqi dhe dispozitat e veçanta të Kushtetutës.

Kabineti qeveritar ka miratuar këtë propozim-mendim të Qeverisë për projektligjin.

“Sipas procedurave përkatëse, të gjitha ministritë kompetente kanë përcjellë opinion dhe deklaratat e tyre sipas fushëveprimit përkatës të tyre, në rrjedh të saj, Qeveria e Kosovës vlerëson nuk mbështet nismën legjislative të iniciuar nga disa deputetë të Kuvendit për rregullim të ri ligjor me të cilin bëhet kufizimi i disa prej lirive të drejtave themelore të garantuara me Kushtetutën. E vlerëson të panevojshëm miratimin e projektligjit për parandalimin dhe menaxhimin e pandemisë me arsyetimin se ligjet e aplikueshme në Kosovë e rregullojnë mjaftueshëm fushën e luftimit të ndalimit dhe parandalimit të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë”, ka thënë Selmanaj.

“Konsideron qe Kushtetuta e Kosovës ka dispozita të veçanta që adresojnë çështje që institucionet kanë për obligim të ndërmarrin në raste të rrezikut të shëndetit publik. Vlerëson po ashtu se angazhimet  për rregullim të ri ligjor në disa prej lirive të lejuara me Kushtetutë, lejojnë hapësirë që në institucionet të kufizojnë këto liri dhe të drejta duke mos qenë kufizime të tilla proporcionale dhe të nevojshme në një shoqëri të hapur dhe demokratike”, shtoi ai.

Projektligji për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në Kosovë, është inicuar nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani që nga muaji prill, por për javë të tëra ishte bllokuar në Kryesi nga partitë politike, përderisa vetëm në qershor u procedua për mendim në qeveri.

“Këmbët” e shpejta të virusit dhe vendnumërimi i deputetëve