Foto: Atdhe Mulla

Qeveria heziton që ta ndriqojë ndërtesën e saj për nder të komunitetit LGBTI

Qeveria e në detyrë e Kosovës është duke hezituar që ndërtesën e saj të ndriqojë me ngjyrat e komunitetit LGBTI, për nder të 17 majit, Ditës Ndërkombëtare Homofobisë.

Organizata nga komuniteti LGBTI kanë kërkuar në mënyrë zyrtare që për 17 maj, ndërtesa e Qeverisë së Kosovës të ndriqohet me ngjyrat e ylberit, që përfaqësojnë këtë komunitet.

Por që Qeveria është duke hezituar për ta bërë një gjë të tillë.

Arbër Nuhiu nga organizata CSGD në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se fillimisht kërkesa iu aprovuar, por që më pas iu është refuzuar, pas dy dite.

Nuhiu ka thënë se ndriqimi i ndërtesës së Qeverisë me ngjyrat e ylberit ndodh rregullisht që nga viti 2014.

“Javën e kaluar kemi kërku prej Zyrës për Qeverisje të mirë, pranë Zyrës së Kryeministrit, kërkesë kemi bo që me e ndriqu ndërtesën e Qeverisë me 17 maj një aktivitet që ndodh rregullisht prej vitit 2014. Me 12 maj, prej Zyrës për Qeverisje të mirë na është konfirmu që kërkesa jonë është aprovu dhe me 17 maj duke fillu prej orës 20:00 në mbrëmje, do të ndriqohet ndërtesa e Qeverisë me ngjyrat e ylberit. Me 14 maj kemi marrë një email tjetër, që opsioni për me e ndriqu ndërtesën ka ra, dhe prej kabinetit të kryeministrit na kërkohen opsione të tjera”, ka thënë Nuhiu përmes telefonit.

Ai ka thënë se organizatat e komunitetit LGBTI nuk kanë opsione të tjera, për shkak të pandemisë, ndërsa ka thënë se janë duke e pritur përgjigjen finale nga Qeveria.

“Ne e kemi bo një shkresë që ia kemi dërgu kryeministrit, që është përkrahë nga 19 organizata të shoqërisë civile dhe iu ka dorëzu kabinetit të kryeministrit. Dhe ka mbetë që gjatë ditës në takim me kryeminsitrin t’i propozohet opsioni që e kemi dhënë ne. Tash jemi në pritje të përgjigjes”, ka thënë Nuhiu.