Qeveria e Kosovës, Foto: Albin Kurti Facebook

Qeveria heq kufizimin e lëvizjes për personat e angazhuar në zgjedhje

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se ka hequr kufizimin e lëvizjes për personat që janë të angazhuar për zgjedhjet e së dielës.

Këtë vendim, Qeveria e mori gjatë një takimi të sotëm, ku u vendos për plotësim-ndryshimin e pikës së 15-të të vendimit të datës 24 shtator për masat e përgjithshme dhe të veçanta kundër COVID-19.

“Sipas vendimit të sotëm, kufizimi i qarkullimit nuk do të vlejë për personat e angazhuar zyrtarisht për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, nga ora 22:00 e datës 16 tetor 2021 deri në ora 05:00 të datës 18 tetor 2021. Këtu përfshihen anëtarët e këshillave të vendvotimeve dhe vëzhguesit e procesit zgjedhor”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Ky vendim, sipas Qeverisë është marrë me qëllim që  t’u mundësohet personave të angazhuar kryerja e detyrës zyrtare.