Qeveria gjermane ndan për Kosovën dy grante në vlerë prej 13.5 milionë euro

Qeveria gjermane ka ndarë dy grante, njërin në shumë prej 7 milionë eurove për arsim dhe tjetrin në shumë prej 6.5 milionë eurove, për bujqësi.

Qeveria në detyrë e Kosovës, e përfaqësuar nga Ministri i Përkohshëm i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi së bashku me përfaqësuesin e Bankës Gjermane të Zhvillimit KfW, Rene Eschemann, dhe në prani të Ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, mbajti sot një ceremoni nënshkrimi për dy marrëveshje grantesh në shumën 13.5 milion euro.

Marrëveshja prej 6.5 milion eurosh synon të mbështesë “Rritja e Kapitalit Garantues për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore” duke rritur kapitalin e tij, i cili përmes “Agro Windoë” që u siguron agrobizneset (ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme dhe fermerët) qasje në financa për të mbështetur aktivitetet e tyre përmes institucioneve financiare në Kosovë. Përfituesi i kësaj marrëveshje është KCGF, me të cilin KfW do të nënshkruajë një marrëveshje të veçantë.

Marrëveshja tjetër e nënshkruar për “Fondi i Sfidave të Kosovës – Arsimi Profesional dhe Trajnimi” me një kontribut prej 7 milion eurosh, i cili ka si qëllim të pajtojë mospërputhjen midis aftësive të marra nga arsimi profesional dhe trajnimi me nevojat e tregut të punës në Kosovë  që të rritet kështu numri i punëtorëve të aftë për kompanitë.