Obiliqi - Foto: Denis Sllovinja / KALLXO.com

Qeveria fton për kursim të energjisë: Sot është ditë kritike e situatës energjetike

Ministria e Ekonomisë u ka bërë thirrje qytetarëve për kursim të energjisë elektrike pasi që konsumi i rrymës është shumë më i madh sesa prodhimi nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

Ministria madje e ka quajtur ditën e sotme, si ditë kritike e situatës energjetike në Kosovë.

“Sot është ditë kritike e situatës energjetike pasi konsumi i energjisë elektrike është shumë më i lartë se prodhimi vendor.Për të tejkaluar sa më lehtë situatën, ju lusim që sot të keni kujdes të shtuar në kursim të energjisë” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë në rrjetin soical, Twitter.

Kosova është duke u përballë me krizë energjetike që nga viti i kaluar.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar dje se njësia A-3 është ndalur dje si pasojë veprimit të mbrojtjes në ndërpresin e gjeneratorit.

Drejtori i KEK-ut Nagip Krasniqi në një intervistë për “Kallxo Përnime” para disa javësh, ka thënë se KEK-u ka kapacitet të prodhojë rreth 760 megavatë duke mos përfshirë bllokun A5 që është rezervë. Ndërsa kërkesa për konsum mund të shkojë deri 1400 megavatë.