Qeveria-Kuvendi

Foto: Denis Sllovinja

Qeveria flet për vaksinat që erdhën në veri

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se në bazë të informatave të pranuara nga Dogana dhe Policia Kufitare, nuk ka të dhëna se nga kanë hyrë vaksinat kundër COVID-19, për të cilat është raportuar dje se janë duke i marrë qytetarët në Mitrovicën e Veriut.

Tutje është thënë se nëse, këto vaksina kanë hyrë në Kosovë përmes rrugëve ilegale, atëherë institucionet e Kosovës do të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këtë aktivitet ilegal, kontrabandim me barëra.

“Përndryshe institucionet e Kosovës nuk kanë pasur asnjë komunikim zyrtar me institucionet e Serbisë lidhur me këtë çështje,  as të drejtpërdrejtë përmes Zyrave Ndërlidhëse  të të dyja vendeve e as me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare”, është bërë e ditur përmes një njoftimi për media.

Qeveria thotë se çdo produkt mjekësor që hyn në Republikën e Kosovës duhet t’i nënshtrohet rregullave të importit, qoftë ai donacion apo import i rregullt,  duke pasur autorizim- marketing për produktin, të lëshuar nga AKPPM (Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale).

“Nëse një produkt nuk e respekton këtë procedure të rregullt, ai konsiderohet produkt ilegal. Ndërsa organet kompetente ndërmarrin veprimet e duhura ligjore”, thuhet në fund.

Dje, presidenti i Serbisë, Aleksadar Vuçiq deklaroi se në veri të Kosovës ka filluar vaksinimi kundër coronavirusit, me vaksinën e kompanive Pfzer/BioNTech, e cila para disa ditëve ka arritur në Serbi.

Vuçiq: Fillon vaksinimi në veri të Kosovës

 

Në anën tjetër Kosova ende nuk është furnizuar me vaksina kundër COVID-19, edhe pse pritet që 20% e vaksinave të merren falas nga program i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, e cila do të shpërndajë vaksina për vendet e varfëra. Ndërsa, pjesën tjetër të vaksinave do ta blejë Ministria e Shëndetësisë.