Qeveria Kurti nuk i ka informacionet sekrete që i ka Hashim Thaçi për rrezikimin e aeroplanit të Pacollit

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se jeta e ish-kryediplomatit kosovar, Behgjet Pacolli ka qenë në rrezik po të ateronte në Prishtinë më 28 prill.

Ai kishte ndryshuar destinacionin nga kryeqyteti i Kosovës për në Tiranë.

Thaçi tha në një intervistë për mediat në Shqipëri se jeta e tij do të rrezikohej dhe për këtë, ai thotë se kishte informata nga shërbimet e inteligjencës.

Në lidhje me këtë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se qeveria nuk ka pasur informatë të tillë, ndërsa ka ftuar prokurorinë që t’i kontaktojë të gjithë ata që kanë pasur informata të tilla, përfshirë edhe presidentin Thaçi.

“Nuk kemi pas asnjë indikacion të tillë. Ftojmë prokurorinë e vendit që t’i kontaktojë të gjitha ata, përfshirë edhe Presidentin, që kanë infromacione të cilat sugjerojnë se jeta e deputetit Pacolli ka qenë në rrezik. Të gjitë ata që sugjerojnë se kanë informacione të tilla kanë përgjegjësi dhe detyrim t’i ndajnë ato me prokurorinë dhe institucionet përkatëse”, ka thënë Kryeziu.

Vizita e mistershme e Hashim Thaçit  në Shqipëri