Trepça, Foto: Valon Fana/KALLXO.com

Qeveria emëron bordin e Trepçës, inkurajon pakicat të aplikojnë për pozitat e lira

Qeveria e Kosovës ka emëruar kryesuesin dhe katër anëtarë në bordin mbikqyrës të ndërmarrjes publike qendrore ‘Trepça’ sh.a, nga 9 anëtarë sa parashihet t`i ketë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti për pozitat tjera të lira u bëri thirrje komuniteteve pakicë të marrin pjesë në proces të aplikimit.

“Sot po emërojmë 5 anëtarë të bordit i cili parashihet në total t’i ketë 9 anëtarë, gjithashtu do propozojmë rihapjen e konkursit për pozitat tjera të lira duke inkurajuar  pjesëtarë të pakicave”- u shpreh ai.

Për anëtarë të bordit të ‘Trepça’ sh. a u emëruan këta kandidatë: Mentor Berisha kryesues dhe anëtarë: Fadil Bejta, Merita Gashi, Sadije Gashi, Alban Krasniqi.

Mandati i tyre do zgjasë katër vite.

Kurti më tej sqaroi edhe detaje të procesit në përzgjedhje të këtyre anëtarëve.

“Në këtë konkurs kanë aplikuar 63 kandidatë, me vendim të ushtruesit të detyrës së sekretarit të përgjithshëm të zyrës së kryeministrit ka emëruar komisionin që ka shqyrtuar aplikacionet dhe përzgjedhur listën e ngushtë prej 27 kandidatëve, derisa ata që nuk kanë qenë në këtë listë, kanë pasur të drejtë ankese në afat 30 ditor”- shtoi Kurti.

Tutje, kryeministri theksoi se lista e ngushtë është dërguar për verifikim në Komisionin Qendror Zgjedhor dhe tek Thesari i Republikës së Kosovës. Komisioni ka shqyrtuar 9 ankesa, prej tyre 2 janë aprovuar. Komisioni ka mbajtur intervistat dhe Qeverisë ia ka rekomanduar listën.