Qeveria emëron bordin e ARKEP-it

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovë është emëruar bordi i ri i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP).

Për një mandat 5 vjeçar, në bordin e ARKEP do të jenë Bahri Anadolli – kryesues, Hazir Hajdari – anëtar, Mark Buzhala – anëtar, Iliriana Berisha – anëtare dhe Faruk Rexha – anëtar.

Hazir Hajdari dhe Bahri Anadolli kanë qenë anëtarë edhe në bordin e kaluar të ARKEP-it.

Qeveria miratoi emrat e propozuar nga zëvendësministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Muharrem Nitaj.

Bordi i ri është emëruar pak ditë pa i skaduar mandati bordit të kaluar, i cili ishte emëruar për mandat 5 vjeçar më 14 dhjetor 2015.

Në Seancën plenare, të mbajtur më 14 dhjetor 2015, Kuvendi i Kosovës emëroi me mandat 5 vjeçar anëtarët e Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare – Kreshnik Gashi- kryetar, Nijazi Ademaj- anëtar, Hazir Hajdari- anëtar, Bahri Anadolli- anëtar dhe Shqiprim Pula- anëtar.

Në nëntor të vitit 2019, kryesuesi i bordit të ARKEP-it, Kreshnik Gashi, ishte emëruar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj si Drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare – (më poshtë Autoriteti) është organi rregullator, i cili zbaton dhe mbikëqyrë kornizën rregullatore të përcaktuar nga ligji për Komunikime Elektronike, nga ligji për shërbimet postare, si dhe nga politikat e zhvillimit të fushës së komunikimeve elektronike dhe shërbimeve postare, të përcaktuara nga Qeveria.