Qeveria emëron bordet e përkohshme të INFRAKOS-it, Trepçës si dhe Postës së Kosovës

Qeveria e Kosovës sot ka emëruar bordiet e përkohshme të  ndërmarrjeve INFRAKOS, Posta e Kosovës si dhe të Trepçës.

Sipas propozimit të ministrit të Ekonomisë, Blerim Kuçi, në krye të bordit të INFRAKOS-it do të jetë Brahim Selimaj, ndërsa Sehat Thaçi, Avni Kajdomqaj dhe Sanja Lazareviq anëtarë.

Ndërsa në bordin e “Trepçës” janë emëruar Sylejman Hyseni kryesues, kurse anëtarë: Shyqiri Sadiku, Esat Peci, Safet Sadiku dhe anëtari tjetër vjen nga punëtorët.

Qeveria ka marrë vendim edhe për emërimin e bordit të përkohshëm të Postës së Kosovës, i cili do të kryesohet nga Leonard Shabani, ndërsa anëtarë Fadil Aliu, Elda Maloku dhe Ujkan Kamberi.

Më 11 korrik të këtij viti Qeveria e Kosovës ka hapur konkurs për borde të drejtorëve për 11 ndërmarrje publike.

Shumica e këtyre ndërmarrjeve për të cilat ka hapur konkurs Qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti, kanë borde të përkohshme që ishin emëruar nga Qeveria Kurti, pas shkarkimit të disa bordeve të ndërmarrjeve publike.