Qeveria emëroi komisione vlerësuese për dy pozita të larta drejtuese në institucionet shëndetësore

Qeveria e Kosovës ka emëruar dy komisione Ad-hoc për vlerësimin profesional për pranim për pozitat e kategorisë së lartë drejtuese për dy pozita nga të cilat ministri Arben Vitia i kishte shkarkuar dy ushtrues detyre në vitin 2025. Është fjala për pozitat “Kryeinspektor Shëndetësor në Inspektoratin Shëndetësor” dhe “Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale”.

Komisioni për vlerësimin e pozitës “Kryeinspektor Shëndetësor”, do të përbëhet nga Naim Bardiqi, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë në rolin e Kryesuesit.

Ndërsa anëtarë janë Ardita Baraku, Drejtore Ekzekutive në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKShPK), Avni Kastrati, Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Haki Smajli, Udhëheqës i Divizionit të Burimeve Njerëzore në Ministri të Shëndetësisë dhe Rrahman Zahiti, ekspert i jashtëm.

Qeveria me vendim tjetër ka emëruar edhe Komisionin Ad-hoc për Vlerësimin Profesional për Pranim për Pozitën e Kategorisë së Lartë Drejtuese “Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale”.

Komisioni do të përbëhet nga Kryesuesja Venera Çerkini e cila është Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Anëtarë do të jenë Fahrije Tërnava, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Punëve të Brendshme,  Avni Kastrati, Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Haki Smajli, zv. Udhëheqës i Divizioinit të Burimeve Njerëzore në Ministri të Shëndetësisë dhe Rrahman Zahiti, ekspert i jashtëm.

Dy vendimet janë marrë në mbledhjen e rregullt të Qeverisë më 12.03.2025.

Në gusht të vitit 2024, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia shkarkoi ushtruesen e detyrës së Kryeinspektores Shëndetësore, Nora – Kursani Demhaja dhe ushtruesin e detyrës së kryeshefit të Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale, Sejdë Tolaj.