Qeveria ekzekutoi mjete për rimëkëmbje ekonomike edhe për biznesin që nuk aplikoi

Qeveria e Kosovës ka filluar me shpërndarjen e mjeteve për bizneset private në emër të pakos së rimëkëmbjes ekonomike.

Burim Piraj, pronar i kompanisë “MEKA”, ka treguar se qeveria e Kosovës ka alokuar mjete në llogarinë e këtij biznesi në emër të pakos emergjente. Mirëpo ajo që ka shkruar Piraj, tregon se biznesi i tij nuk kishte aplikuar fare për të qenë pjesë e kësaj pakoje.

“Më në fund ndodhi edhe kjo!  Sot në llogarinë e firmës sonë janë alokuar mjete nga qeveria e Kosovës për rimëkëmbje ekonomike! Edhe pse ne nuk kemi aplikuar kjo ka ndodhur në realitet! Është hera e parë për 28 vite punë që firma MEKA merr mbështetje financiare nga institucionet tona! Shkojmë para!”, ka shkruar Piraj.

Ndryshe, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka thënë se sot e nesër do të kryhen pagesat për bizneset. Këtë ajo e bëri të ditur sot në një konferencë për media.

“Për shkak të gabimeve të shumta gjatë aplikimeve jemi vonuar kaq shumë. Tani i kemi në proces mbi 15 mijë e 500 ndërmarrje, sot pasdite e nesër paradite pritet të kryhen të gjitha këto pagesa”, ka thënë ndër të tjera Bajrami.

Bajrami ka njoftuar se bizneset janë mbështetur deri në 290 euro për punëtor.

“Sot kemi pasur disa raste kur janë kthyer qindra pagesa për shkak të xhirollogarisë gabim. 60 milionëshi është alokuar. Kemi marr si indikator numrin e të punësuarve, mjetet u shkojnë bizneseve si lehtësim. Mbështetja për një të punësuar do të jetë rreth 290 euro, kjo varësisht prej numrit të punëtorëve”, ka thënë Bajrami.