Qeveria e re përballë sfidave urgjente
Adresimi i çështjes së pandemisë së COVID-19 dhe pasojave të saj, si dhe rimëkëmbja ekonomike, janë sfidat që kërkojnë përgjigje urgjente të Qeverisë së re të Kosovës, gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, Jeta Krasniqi dhe Rrahman Paçarizi.
Sipas tyre, edhe zgjedhja ose jo e kandidates së propozuar nga Lëvizja Vetevendosje për presidente të vendit, Vjosa Osmani, do të jetë një nga sfidat, të cilat shumë shpejt do të përcaktojnë nëse qeveria e re do të vazhdojë punën apo vendi do të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Qeveria e re e Kosovës me kryeministër Albin Kurtin, të hënën, më 22 mars, ka marrë mandatin nga Kuvendi i Kosovës për ta qeverisur vendin.
Çështja e pandemisë së koronavirusit dhe rimëkëmbja ekonomike, kanë qenë premtime gjatë fushatës zgjedhore të kryeministrit të ri, Kurti, për të cilat është thënë se do të trajtohen me prioritet nga qeveria e tij.
Ai ka thënë se brenda vitit do të vaksinohet 60 për qind e popullatës, ndërkaq që për rimëkëmbjen e ekonomisë do të ketë një intervenim ambicioz fiskal.
Të hënën në Kosovë janë shënuar edhe 16 viktima nga sëmundja COVID-19 edhe 827 raste të reja.
Krasniqi: Pandemia dhe rimëkëmbja ekonomike kërkojnë adresim urgjent
Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se këto dy çështje, jo vetëm që duhet të jenë prioritet, por adresimit të tyre duhet qasur me urgjencë. Sipas saj, sigurimi i vaksinave kundër COVID-19, por edhe të gjitha prioritetet që ndërlidhen me pandeminë, në aspektin shëndetësor dhe atë ekonomik, kërkojnë intervenim të menjëhershëm të qeverisë.
“Në aspektin shëndetësor është sigurimi i vaksinave dhe një vlerësim i gjendjes se ku jemi. E dimë që numri i të infektuarve është duke u rritur dhe kjo nënkupton që ka më shumë njerëz që po shkojnë në spitale. Pra, duhet të shihet në aspektin shëndetësor se ku qëndrojmë dhe çfarë ne duhet të bëjmë në atë drejtim”.
“Në anën tjetër, në aspektin e ekonomisë, është mbështetja ekonomike që duhet t’i jepet sektorit privat, por edhe të pakove të rimëkëmbjes, të cilat duhet të jenë tashmë pjesë e qeverisë së ardhshme, për të parë se si të revitalizohet ekonomia e vendit”, tha Krasniqi.
Ajo shtoi se gjatë 100 ditëve të ardhshme qeveria duhet të kompletojë bordet dhe institucionet, të vendosë kornizat lidhur me atë se si do të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni, se si do të punohet në fushën e sundimit të ligjit, si dhe pozicionimi i saj për politikën e jashtme.
Paçarizi: Dialogu, sfida më e rëndë
Rrahman Paçarizi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, vlerëson që sigurimi i vaksinës kundër COVID-19 do të varet nga qeveria e kryeministrit Kurti, ndonëse zgjidhjet tashmë janë të pakta dhe minimale, marrë parasysh, siç thotë ai, se tashmë në botë është duke u zhvilluar e ashtuquajtura “diplomaci e vaksinës”.
Ai thekson që rimëkëmbja ekonomike, por edhe dialogu me Serbinë do të jenë sfidat kryesore me të cilat do të përballet qeveria e Kurtit gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes. Megjithatë, detyra e parë, sipas tij, është adresimi i çështjes së pandemisë, tashmë që numrat e personave të infektuar po shënojnë rritje.
“Duket se janë rezultat i fushatës zgjedhore të pakontrolluar dhe tubimeve të pakontrolluara. Pastaj, ndërlidhur me këtë (pandeminë) është edhe sfida shumë e rëndë e rimëkëmbjes ekonomike, e mbulimit të pasojave të pandemisë, të cilat po zgjasin tash e më shumë se një vit. Ndërkohë që, sfida e tretë dhe më e rënda – për këtë lloj të qeverisjes, për këtë format dhe profil të qeverisë të udhëhequr nga zoti Kurti – është dialogu me Serbinë, përkatësisht, formati i këtij dialogu dhe dinamikat, të cilat do të përcaktohen, jo nga Kosova, por nga partnerët e Kosovës”, theksoi Paçarizi.
Zgjedhja e presidentit, thyerje e shtizave ndërmjet pushtetit dhe opozitës
Megjithatë, këto nuk do të jenë sfidat e vetme, më të cilat qeveria e kryeministrit Kurti do të ballafaqohet shumë shpejt. Se a do ta vazhdojë mandatin qeveria e sapozgjedhur ose jo, do të varet nga zgjedhja ose jo presidentit të vendit, për të cilën pozitë Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar Vjosa Osmanin.
Ajo ka qenë ushtruese e detyrës së presidentit që nga dorëheqja e Hashim Thaçit, në fillim të muajit nëntor të vitit 2020 e deri më 22 mars të vitit 2021, kur kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka marrë edhe pozitën e ushtruesit të detyrës së presidentit.
Jeta Krasniqi thotë se çështja e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës, ka të bëjë drejtpërdrejtë me dy të tretat e votave të 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilat do të duhet t’i sigurojë shumica në pushtet, që të zgjidhet kandidatja e propozuar nga ajo.
“Pra, nëse nuk tejkalohet zgjedhja e presidentit apo kjo sfidë, atëherë dihet që vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Patjetër që është një sfidë, me të cilën kjo qeveri do të përballet menjëherë”, tha Krasniqi.
Thyerja e shtizave ndërmjet pushtetit dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës, sipas profesor Paçarizit, pritet të ndodhë pikërisht për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.
Sipas tij, në rast se nuk do të ketë ndërhyrje nga faktori ndërkombëtar, që kjo çështje të zgjidhet, atëherë vendi do të hyj në krizë politike dhe institucionale, sepse, siç thotë ai, “zgjedhja e presidentit nuk do të jetë rezultat i konstruktivitetit apo bashkëpunimit ndërmjet subjekteve politike”.
“Subjektet politike, sot opozitare, nuk u treguan të gatshme që ta votojnë qeverinë Kurti. Në anën tjetër, zoti Kurti ishte paksa arrogant, në kuptimin e dominancës së numrave. Në këtë kuptim, unë nuk shoh ndonjë zgjidhje brenda, pasi që Lidhja Demokratike e Kosovës – që është faktori kryesor në këtë çështje – nuk besoj që do të fitonte shumë, në rast se do ta votonte zonjën Osmani. Por, edhe në rastin tjetër, nëse do të shkohet në zgjedhje, sërish do të ishte ajo (LDK-ja) fajtorja, le të themi, për çuarjen e vendit në zgjedhje”, theksoi Paçarizi.
Ndryshe, ekspertët e çështjeve kushtetuese janë të ndarë lidhur me atë se a do të ketë kryetari i ri i kuvendit mandat të ri gjashtëmujor si ushtrues detyre i presidentit apo i njëjti duhet ta përfundojë atë më 5 maj.
Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu vlerëson se kryetari i ri kuvendit, do të ketë mandat të përkohshëm gjashtëmujor.
Megjithatë, me këtë konstatim nuk pajtohet ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i cili thotë se mandati gjashtëmujor, përfundon më 5 maj dhe nuk ka mandat shtesë.
Më 22 mars, Kuvendi i Kosovës konstituoi përbërjen e re, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. Po të njëjtën ditë, me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim, kuvendi zgjodhi qeverinë e re, të udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje. REL