FOTO KUVENDI I KOSOVES

Qeveria e re ndryshon edhe grupin parlamentar të LDK-së dhe Nisma-s

Formimi i qeverisë së re të udhëhequr nga Avdullah Hoti pritet që të shkaktoj ndryshime edhe tek përbërja e Kuvendit të Kosovës.

Emërimi i Driton Selmanaj në pozitën e zëvendëskryeministrit si dhe emërimi i  Armend Zemajt në pozitën e ministrit të Shëndetësisë dhe Arban Abrashit në postin e ministrit të Infrastrukturës, do ti hapin rrugën Visar Hotit, Ismet Beqiri dhe Faton Bislimit për tu bërë deputet të Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e 7-të.

LDK-ja ka formuar qeverinë në partneritet me AAK, Nisma, Lista Serbe si dhe disa deputet nga komunitet jo shumicë.

Mirëpo grupi parlamentar i Listës Serbe dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nuk pritet të pësojnë ndryshime.

Ndërsa në vend të zëvendëskryeministre Albulena Balaj-Halimaj pritet të vie Arbreshë Krasniqi.

Të mërkurën deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar qeverinë e re të vendit të koalicionit LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe, të drejtuar nga Avdullah Hoti.

Për qeverinë e re kanë votuar 61 deputetë, 24 ishin kundër dhe 1 abstenoi. Në votim morën pjesë 86 deputetë.

Votimi i qeverisë së re, i ka lënë jashtë Kuvendit disa nga njerëzit më të votuar në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit në Kosovë.

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje në legjislaturën e 7-ta nuk do t’i ketë 5 nga njerëzit më të votuar të partisë.

Ndërsa pjesë e grupit parlamentar të LDK- së nuk do të jetë kandidati i  katërti më i votuar i LDK-së Lumir Abdixhiku i cili në zgjedhjet e 6 tetorit ka marrë 29,531 vota.

Ish-kryeministri, Albin Kurti, ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi, ish-ministrat Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu e Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje si dhe ish-ministri Lumir Abdixhiku nuk do të kenë mundësi të jenë pjesë e legjislativit pas votimit të qeverisë Hoti.

Kjo për shkak se nuk kanë mundësi të rikthimit në pozitën e deputetit, pasi që në momentin e votimit si ministra më 3 shkurt kanë humbur mandatin si deputet.