Ministria e Financave

Qeveria e miraton nismën e Marrëveshjes për Eliminimin e Tatimit të Dyfishtë me Malin e Zi

Qeveria e Kosovës e ka miratuar nismën për negocimin e “Marrëveshjes për Eliminimin e Tatimit të Dyfishtë dhe Parandalimin e Evazionit Fiskal Lidhur me Tatimin në të Hyra dhe Kapital”, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

Zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi tha se procesi i nënshkrimeve të marrëveshjeve tatimore ndërkombëtare luan një rol kyç në zhvillimin ekonomik, tërheqjen e investimeve të huaja dhe luftimin e evazionit fiskal dhe shmangien e tatimit.

Ai ka kërkuar nga kabineti qeveritar ta aprovojnë këtë marrëveshje duke thënë se është e rëndësishme për Kosovën e cila sipas tij nuk është anëtare e shumë mekanizmave ndërkombëtar të shkëmbimit automatik të informative me qëllim të luftimit të kësaj dukurie negative.

“Draft marrëveshja mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi përmban 28 nene që janë kombinim dhe janë modeli i Kombeve të Bashkuara mbi të ardhura dhe kapital”, ka thënë Krasniqi.

Aktualisht në Kosovë sipas tij janë 16 marrëveshje për eliminim të tatimit të dyfishit dhe një numër i marrëveshjeve janë në proces të ratifikimit.