Hajrulla Çeku dhe Agim Ademi | Foto: FFK
Qeveria e Kosovës thotë se askush nga Shqipëria nuk i kontaktoi për mundësinë e organizimit të evropianit U21
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku është shprehur i pakënaqur me Shqipërinë, pasi kjo e fundit do të bashkëorganizojë Kampionatin U21 me Serbinë dhe se nuk e ka kontaktuar fare Ministrinë e Kulturës në Kosovë për mundësi bashkë organizim.
“Është situatë e pakëndshme të ju them të drejtën, nuk dua të tingëllojë kritik ndaj Shqipërisë se ju e dini që ne Shqipërinë se si e trajtojmë edhe në aspekt të bashkëpunimit edhe të avancimit të interesave të përbashkëta kombëtare. Por faktet duhet thënë. Ne si Ministri nuk jemi kontaktuar asnjëherë në raport me mundësinë e bashkëorganizimit të këtij kampionati” – ka thënë Çeku në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Ministri tha se një gjë të tillë e kanë kuptuar vetëm në momentin kur është publikuar aplikimi përbashkët i Shqipërisë me Serbinë për ta bashkëorganizuar këtë kampionat.
Ai ka hedhur poshtë kritikat e Federatës së Shqipërisë që Kosova nuk ka infrastrukturë të mjaftueshme për bashkëorganizim të Kampionatit.
“Pas kritikave që kanë marrë, nga Federata e Shqipërisë është thënë se Kosova nuk është gati me infrastrukturë. Kjo nuk qëndron. Bile këto fakte që i prezantova tash në lidhje me investimet tona në infrastrukturë të futbollit, shumë shpejt vendin tonë e bëjnë lidere në rajon në infrastrukturën e futbollit” – tha ai.
Sipas Çekut, nëse do iu kishte dhënë mundësia deri në vitin 2027, Kosova do të kishte të përfunduara mjaftueshëm stadiume që këtë kampionat ta bashkë-organizonte me Shqipërinë.
“Kjo gjë ka ndodhur tashmë, nuk është mirë që ka ndodhur, do të duhej federata të binte e të na pyeste lidhur me investimet e infrastrukturën tonë dhe pastaj të vepronte në një formë tjetër. Lojërat mesdhetare na bëjnë bashkë me Shqipërinë sepse na duhej dalja në det” – tha ai.
UEFA ka konfirmuar se Shqipëria dhe Serbia do të jenë bashkorganizatorët e Kampionatit Evropian U-21 në vitin 2027.
Siç shkruan “Associated Press” kandidatura e tyre është e vetmja që plotëson afatet e vendosura nga UEFA.
Vendimi përfundimtar pritet të merret më 16 dhjetor në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s.
KALLXO.com i ka shkruar Qeverisë së Shqipërisë në lidhje me deklarimet e ministrit Çeku.