Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Qeveria e Kosovës: Tejkalohet sulmi kibernetik, shërbimet qeveritare janë të qasshme

Qeveria e Kosovës ka reaguar pas sulmeve të fundit kibernetike ndaj faqeve të internetit të disa institucioneve qeveritare.

Ata kanë thënë se nga ky sulm kibernetik në asnjë moment nuk janë cenuar të dhënat e ruajtura në Qendrën Shtetërore të të Dhënave në kuadër të Institucioneve të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit, sulme të tilla ka pasur gjatë javës së kaluar, në periudha të caktuara kohore.

Si pasojë e këtyre sulmeve, sistemet qeveritare është thënë se janë ballafaquar me sulm kibernetikë të llojit DDoS që ka shkaktuar pengesa të herëpashershme në shërbimin e internetit brenda institucioneve qeveritare dhe mungesë të herëpashershme të qasjes në disa shërbime qeveritare.

“Gjatë periudhave të sulmit, ekipi i sigurisë kibernetike në ASHI është angazhuar maksimalisht që impakti i sulmit në qasshmërinë dhe funksionalitetin e shërbimeve të jetë sa më i vogël” – është thënë në njoftimin e Qeverisë.

Tutje është theksuar se në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm, me aplikimin e masave adekuate, sulmi kibernetik është tejkaluar dhe janë parandaluar tentativat për vazhdim të sulmit.

Po ashtu Qeveria, ka thënë se të gjitha shërbimet qeveritare janë plotësisht të qasshme dhe nuk ka pengesa në funksionimin e tyre.

KALLXO.com ka raportuar për sulm kibernetik ndaj faqeve të internetit të disa institucioneve kosovare.