Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi (majtas) i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq./Grafika:REL
Qeveria e Kosovës: Takim trilateral nuk pati për shkak të refuzimit të Serbisë
Qeveria e Kosovës ka deklaruar se takimi i mbajtur më 17.09.2024, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi u zhvillua vetëm në formatin bilateral, për shkak se pala serbe ka refuzuar të marrë pjesë në takim trilateral.
Sipas njoftimit, nga ana e saj, Kosova përmes kryenegociatorit, ka pranuar të mbahet takimi trilateral.
“Takimi u zhvillua në formatin bilateral, teksa takim trilateral nuk pati, për shkak të refuzimit të Serbisë që të marrë pjesë në një takim të tillë. Nga ana e saj, Kosova përmes kryenegociatorit, ka pranuar të mbahet takimi trilateral, sipas agjendës së paracaktuar nga ndërmjetësuesi, ku temë e vetme e diskutimit parashihej të ishte rruga përpara e zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues”- thuhet në njoftim.
Sipas Qeverisë, “sa i përket urës mbi lumin Ibër, edhe për BE-në është e qartë që nuk ka alternativë tjetër përpos hapjes së urës”.
Në komunikatën për media, theksohet se Bislimi ka thënë se ura duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese.
“Zëvendëskryeministri shtoi se edhe në Raportet e Komisionit Europian që pas vitit 2014, BE-ja shprehet se ura duhet të hapet, pa vonesa të mëtejme. Ai tha se kjo çështje tashmë është trajtuar e dakorduar në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut, dhe se ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese, ku edhe cilësohet si simbol i normalizimit”- thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Në takimin me emisarin Lajçak, u diskutua mbi planin e sekuencimit dhe zbatimin e marrëveshjeve, thuhet në njoftim.
Ndërsa theksohet se Bislimi shprehu përsëri angazhimin konstruktiv dhe aktiv të Kosovës në zbatimin e marrëveshjeve dhe rrugën përpara si dhe komentimet nga ana e saj të drafteve të sekuencimit, teksa Serbia nuk ka bërë asnjë hap drejt saj, e pikësëpari as nuk e ka pranuar marrëveshjen.
Po ashtu, është berë e ditur se tema të diskutimit ishin edhe çështja e personave të zhdukur me dhunë, telekomunikimi, IBM-ja e liria e lëvizjes.
Para se të merrej vendimi për datën 17.09.2024 pati deklarime se takimi i planifikuar ishte refuzuar nga pala serbe.
Zëvendëskryeministri Bislimi, të premten më 13.09.2024, kishte deklaruar se Serbia e ka refuzuar takimin në nivel kryenegociatorësh të planifikuar më 17 shtator, sipas rendit të ditës të përcaktuar nga ndërmjetësi i Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak.