Qeveria e Kosovës realizon pagesën prej 500 mijë eurove për Preshevën, Medvegjën e Bujanocin

Ministria e Financave dhe Transfereve ka realizuar pagesën prej 500 mijë eurove të dedikuara për komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, mjete këto të ndara nga Qeveria e Kosovës.

Kështu ka njoftuar kjo ministri përmes një publikimi në Facebook ku ka njoftuar se 200 mijë euro janë ndarë për komunën e Preshevës, 200 mijë euro për komunën e Bujanocit dhe 100 mijë euro për komunën e Medvegjës.

“Ministria e Financave dhe Transfereve njofton se me datën 27 prill, Thesari i Kosovës ka realizuar pagesat, përkatësisht donacionet, për të tri komunat. Sipas procedurave të zakonshme bankare, këto pagesa janë realizuar si transfere ndërkombëtare nga llogaria e Thesarit në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, përmes bankës korrespondente “Deutsche Bank AG” (Gjermani) në llogaritë e komunave në Bankën Qendrore të Serbisë, si ndihmë dhe solidaritet për popullatën e atjeshme në këtë kohë pandemie nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e MFT.

Sipas ministrisë, kontribut të jashtëzakonshëm në realizimin e kësaj ndihme ka dhënë zëvendësministri i Ministrisë së Financave dhe Transfereve, Ilir Aliu, me prejardhje nga Kapiti – Medvegjë.

Realizimi i pagesës prej 500 mijë eurove për këto tri komuna është bërë një javë pasi Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për një donacion të tillë.

Qeveria ndan 500 mijë euro për Preshevën, Bujanovcin dhe Medvegjën