Qeveria

foto; Denis Sllovinja

Qeveria e Kosovës reagon ndaj deklaratave të zyrtarëve serb për viktimat e luftës

Qeveria e Kosovës të hënën ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve të qeverisë së Serbisë, lidhur me viktimat shqiptare të luftës së fundit në Kosovës.

Përmes një deklarate për media, qeveria kosovare ka shprehur zhgënjim të thellë ndaj këtyre zhvillimeve.

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh zhgënjimin e thellë ndaj disa deklaratave publike të zyrtarëve të lartë të Serbisë, të cilët hapur vazhdojnë të shfaqin mungesë të thellë respekti për viktimat e luftës së fundit në Kosovë, si dhe familjet e tyre, të cilat, qe dy e më shumë dekada, vazhdojnë t’i kërkojnë me dëshpërim të afërmit e tyre të rrëmbyer nga forcat serbe”, thuhet në reagim.

Ekzekutivi thekson tutje se këto deklarata skandaloze, përveç që fyejnë rëndë të gjitha viktimat e krimeve serbe, “dëshmojnë para botës se Beogradi zyrtar, gjatë gjithë këtyre viteve, qëllimisht dhe vetëdijshëm i ka mbuluar gjurmët e krimit, duke e mbajtur fshehur vendndodhjen e varrezave masive, në të cilat kanë përfunduar qindra-mijëra civilë të pafajshëm”.

Qeveria e Republikës së Kosovës thotë se  e kundërshton këtë mendësi politike dhe presin që këtë ta bëjë edhe bashkësia ndërkombëtare, veçmas Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si faktorë të pazëvendësueshëm të ndërtimit të paqes dhe të perspektivës euroatlantike të Ballkanit Perëndimor.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur të punojë me përkushtim për një të ardhme paqësore të rajonit dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë fuqishëm me aleatët perëndimorë për integrimin sa më të shpejtë në familjen e madhe të vendeve të qytetëruara e demokratike euroatlantike, në të cilën nuk ka vend për urrejtje ndaj etnive të tjera”, përfundon deklarata.

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, në një intervistë ka thënë: “Të mos merremi me amerikanët, gjermanët dhe turqit, më thoni ju mua (duke i’u drejtuar udhëheqësit të emisionit) se çfarë duhet të bëjmë me serbët, të cilët i tregojnë shqiptarëve dhe kroatëve, flasin budallallëqe të ndryshme dhe u tregojnë atyre se ku janë të varrosur shqiptarët në të gjithë Serbinë”.

Kurse, ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin, ka reaguar ashpër ndaj marrëveshjes së arritur të premten mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku thuhet se Porti i Durrësit do t’i takojë Kosovës.

Vulin i është drejtuar shqiptarëve me termin ofenduar “shiptari”, ka deklaruar se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama po vazhdon me përpjekjet e tij për të krijuar një “Shqipëri të Madhe”.

Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stullblla, i është drejtuar me një letër Ambasadorëve të Quintit, lidhur me deklarimet e fundit të zyrtarëve të qeverisë së Serbisë, për shqiptarët e vrarë në luftën e fundit në Kosovë.

Haradinaj-Stublla letrën e ka publikuar në Tewitter, duke njoftuar se i është drejtuar ambsadorëve lidhur me veprimet e fundit që i ka quajtur të turpshme të Qeverisë së Serbisë, kundër viktimave shqiptarë të luftës.

Në këtë letër, ministrja kosovare ka shkruar se Serbia po minon frymën e dialogut, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe proceset e një pajtimi të mundshëm pas marrëveshjes së Uashingtonit dhe dialogut aktiv në Bruksel.