Qeveria e Kosovës. Foto: Arjana Berisha, KALLXO.com

Qeveria e Kosovës planifikon 4 milionë euro për Luginën e Preshevës dhe Sanxhakun

Qeveria e Kosovës ka planifikuar që të ndajë 4 milionë euro për Luginën e Preshevës dhe Sanxhakun për vitin 2025.

Këto shifra janë prezantuar në Projekt-buxhetin e Qeverisë që është publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës.

Më parë Kosova nuk ka pasur linjë buxhetore për Sanxhakun. Se a do të ketë në të ardhmen, ashtu siç është planifikuar pritet që të shihet në javët në vazhdim nëse arrihet që të sigurohen votat e mjaftueshme për votimin e këtij projektligji në Kuvend.

Në bazë të projeksionit buxhetor, Qeveria planifikon që edhe në vitet 2026 dhe 2027 të ndahen nga 2 milionë euro për Luginën e Preshevës dhe Sanxhakun.

“Mjetet e buxhetuara te Zyra e Kryeministrit në nën programin Përkrahje për Luginën e Preshevës dhe Sanxhakun ndahen me vendim të Qeverisë, me qëllim të përkrahjes së Luginës së Preshevës dhe Sanxhakut”- shkruan në Projekt-buxhetin për vitin 2025.

Kuvendi i Kosovës do të debatojë javën e ardhshme, më 11.11.2024, Projeketbuxhetin për vitin 2025. 

Kështu është vendosur në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit më 04.11.2024. 

Shefja e Grupit Parlamentare të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, tha se do të bëjnë shqyrtimin dhe miratimin e projektbuxhetit për vitin 2025 në lexim të parë.

“Nuk është asgje e re nëse e shihni paternin e paritive të opozitës në asnjë nga të gjitha miratimet që kanë ndodhur në këtë  legjislaturë dhe ky është i katërti me rradhë opozita nuk ka marr pjesë”- tha Kusari- Lila.

Ndërsa dy shefat e dy grupeve parlamentare të partive opozitare, LDK dhe AAK, apriori e kundërshtuan këtë Projektligj.

“Sipas bindjeve tona do të jetë buxhet jetëshkurtër sepse qeveria e re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit duhet ta rishikojë dhe të jap një buxhet zhvillimor. Të jap një buxhet ku rriten pagat, ku rritet mirëqenia dhe ekonomia e Kosovës. Ne nuk do ta votojmë buxhetin. Ky buxhet i ka edhe dy probleme ligjore dhe kushtetuese”- tha Arben Gashi i LDK-së.

E si “mbytje të zhvillimit ekonomik” buxhetin e vitit 2025 e cilëson edhe shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri .

“Buxheti e konfirmon mbytjen e zhvillimit ekonomik. Ua ka varros shpresën 80 000 njerëzve që punojnë në shtetin e Kosovës për një pagë të dinjetetshme. Është buxhet që nuk ka asnjë projekt kapital të rëndësishëm. Nga ne do të kundërshtohet fuqishëm. E mira e kësaj pune është që 9 shkurt janë zgjedhjet dhe do të ketë një qeveri tjetër dhe ajo qeveria [më pas] duhet ta rishikojë në plotëni këtë buxhet”- tha Tahiri.

Qeveria e Kosovës, më 30.10.2024, ka miratuar Projektligjin për Buxhetin për vitin 2025 me vlerë prej 3.6 miliardë euro.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se me këtë rast po shënohet një rekord historik, si “Qeveria e parë që miraton 4 buxhete vjetore”.

Kurti bëri të ditur se janë ndarë 930 milionë euro për investime infrastrukturore; 60 milionë euro për skema të shtesave për fëmijë; 105 milionë euro për nevoja të shëndetësisë; 87 milionë euro janë ndarë për nevoja të sigurisë e mbrojtjes, municion e pajisje furnizime të nevojshme dhe 788 milionë euro për komunat e Kosovës.

Për vitin 2025 buxheti i projektuar shënon nivelin 3 miliardë e 608 milionë euro, që është për rreth 300 milionë euro, apo shprehur në përqindje për 8.87 për qind më i lartë sesa ai i vitit 2024.