
Qeveria e Kosovës ndan 100 mijë euro për familjen e veprimtarit Enver Hadri
Qeveria e Kosovës ka miratuar Vendimin për Ndarjen e 100 mijë eurove për familjen e veprimtarit Enver Hadri, i cili është vrarë në Belgjikë në vitin 1990.
“Propozimi në vlerë prej 100 mijë euro është për familjarët e veprimtarit të vrarë Enver Hadri, i cili u vra në Belgjikë në vitin 1990. Jemi në kontakt me familjarët, por edhe me autoritetet belge. Dy të akuzuarit janë shtetas serbë, se kanë kryer vrasjen. I treti i akuzuar, i cili ishte pjesë e institucioneve serbe akuzohet se ka urdhëruar vrasjen e Enver Hadrit.” – deklaroi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, më 10.01.2025.
Ministri Hekuran Murati deklaroi se Ministria e Financave e mbështet ndarjen e mjeteve për familjen e Enver Hadrit.
“Në këtë rast, këto mjete merren nga shpenzimet e paparashikuara dhe më pas do të bëhet ekzekutimi.” – deklaroi Murati në mbledhjen e Qeverisë.
Enver Hadri, kreu i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, u vra në makinën e tij ndërsa priste në semafor në Bruksel më 25.02.1990.
Në vitin 2016, Gjykata e Krimeve të Rënda në Bruksel dënoi Bozhidar Spasiq, ish-kreu i Operacioneve Speciale të Policisë sekrete jugosllave UDBA dhe anëtarët e një bande kriminale serbe, Andrija Drashkoviq e Veselin Vukotiq me “burgim të përjetshëm” për vrasjen e Enver Hadrit.
Spasiq organizoi vrasjen dhe Drashkoviq e Vukotiq e kryen atë – tha Gjykata në Vendimin, derisa të tre burrat u gjykuan dhe u dënuan në mungesë.
Enver Hadri kishte ikur në Belgjikë në vitin 1972. Ai ishte aktiv në Rezistencën Kombëtare të Shqiptarëve të Kosovës dhe më vonë themeloi Komitetin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, i cili mblodhi të dhëna mbi shtypjen e shqiptarëve etnikë nga forcat jugosllave të sigurimit.
Ai u vra disa ditë para se të ishte programuar të paraqiste një Raport të detajuar të vdekjeve të dhjetëra shqiptarëve etnikë në duart e Policisë jugosllave në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.