Qeveria e Kosovës merr mbështetje për rritjen e mundësive për banimin e përballueshëm

Një projekt i ri këshillimor i Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC),  është bërë pjesë e Grupit të Bankës Botërore, për të mbështetur Qeverinë e Kosovës në rritjen e mundësive për banim të përballueshëm në vend.

Përmes këtij projekti do të mundësohet përmirësimi i jetës për banorët dhe po ashtu do të ndikojë në  forcimin e zhvillimit gjithëpërfshirës afatgjatë.

“Ekipi i IFC-së do të punojë me qeverinë për kryerjen e hulumtimeve paraprake për projektin, i cili do të përfshijë një vlerësim të të përgjithshëm të tregut dhe analizë fizibiliteti, si dhe analiza teknike dhe ligjore. Ekipi do të hulumtojë gjithashtu qëndrueshmërinë e shfrytëzimit afatgjatë të sipërfaqeve të tokës të zgjedhura nga qeveria”, thuhet në njoftimin e Bankës Botërore.

Ky projekt është bazuar në strategjinë e Grupit të Bankës Botërore për Kosovën e cila fokusohet në nxitjen e rritjes së qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, duke u ofruar qytetarëve më shumë mundësi për një jetë më të mirë.