
Komisioni i Pavarur per Media/KPM
Qeveria e Kosovës mbron Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media
Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Projektligjin e Komisionit të Pavarur për Media me 59 vota për. Disa orë pas miratimit të këtij projektligji, ka reaguar Qeveria e Kosovës.
“Ky Ligj në radhë të parë sjell barazi dhe konkurrencë të shëndoshë në treg. Kjo, sepse ky Ligj në plotëni përcjell direktivën për Shërbimet e Mediave Audiovizuele (AVMS) të Bashkimit Evropian, hartuar nga ekspertët e Bashkimit Evropian” – thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës për projektligjin që u miratua më 11.07.2024.
Qeveria ka thënë se ka miratuar Projektligjin për KPM-në mbi këto parime: respektimit të plotë të direktivës AVMS, harmonizimit të këtij Projektligji me legjislacionin në fuqi dhe sigurimit të zbatimit të të drejtave të garantuara e përgjegjësive të mveshura për të gjitha subjektet, nga një organ i pavarur kushtetutës, pra KPM. Gjithashtu sipas tyre parim kryesor është të dihet se kush e plason lajmin (autori).
“Direktiva e Bashkimit Europian AVMS, shtrihet mbi dy parime kryesore: të siguruarit që çdo medium që prodhon informacion i nënshtrohet rregullave të njëjta dhe, që çdo qytetar ka të drejtë të informohet mbi atë se kush ia plason lajmin përmes të cilit informohet, marrë parasysh që gjykimet tona edhe formohen mbi lajmin që na plasohet”- thuhet tutje në njoftim.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas miratimit të Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM).
Sipas AGK-së, votimi i projektligjit të KMP-së është prej goditjeve më të mëdha që Qeveria e Kosovës dhe Vetëvendosje i ka bërë kundër lirisë së medias në Kosovës. Po ashtu sipas tyre ky është tentim për disiplinim e kontroll të mediave.
“Partia politike në pushtet nuk i ka marrë parasysh vërejtjet e shoqërisë civile e mediave dhe ka shpërfillur Raportin e ekspertes së Këshillit të Europës, që ka konstatuar se pjesa më e madhe e Ligjit nuk i përmbushë standardet europiane, duke përfshirë ato të Këshillit të Europës ku Kosova synon anëtarësimin. Një gjë e tillë, u theksua para votimit edhe nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca”- thuhet në reagimin e AGK-së.
Përgjigjja e qeverisë drejtuar AGK-së është që këto shqetësime do të adresohen tek më të kualifikuarit e fushës së medias brenda BE-së.
“AGK-së i ofruam edhe takim të ndarë me ekspertët pas komenteve të tyre, për t’u siguruar që shqetësimet e tyre adresohen nga ata më të kualifikuarit e fushës së medias brenda BE-së”.
Bashkimi Europian ka shprehur keqardhjen për “dështimin” e Kosovës për të inkorporuar rekomandimet në tre projektligje vendimtare, duke përfshirë edhe atë për Komisionin e Pavarur për Media.
Për Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, BE-ja thotë se versioni aktual nuk e pasqyron shumicën e rekomandimeve të përfshira në opinionin ligjor të përgatitur nga Këshilli i Europës, duke përfshirë çështjet delikate siç janë kompetencat dhe financimi i KPM-së, procedurat zgjedhore dhe afatet e shërbimit për anëtarët e vet, si dhe proporcionaliteti i sanksioneve.
Pas miratimit të këtij ligji ka reaguar edhe Misioni i OSBE-së në Kosovë.
“Rekomandimet kryesore të ekspertëve që nuk janë marrë parasysh kanë nxitur shqetësime rreth dispozitave të reja të cilat do të kenë ndikim në përbërjen, rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së, si dhe në procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të rinj dhe kushtet e shërbimit për të zgjedhurit. Nuk janë marrë parasysh as rekomandimet për rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së gjatë fushatave zgjedhore”- thuhet në deklaratën e OSBE-së, të lëshuar më 11.07.2024.
Projektligj për KPM-në është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 27.12.2023, dhe është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës, ku është miratuar në lexim të parë më 07.03.2024 të këtij viti.
Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka miratuar bashkë me amandamentet e tij, raportin për Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), në mbledhjen e mbajtur më 30.05.2024.