Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qeveria e Kosovës mbështet sanksionet e BE-së ndaj një entiteti kinez për shkelje të të drejtave të njeriut

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar propozimin për të mbështetur vendosjen e sanksioneve nga Këshilli i Bashkimit Evropian, ndaj katër personave dhe një entiteti kinez të përfshirë në abuzime dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në Xinjiang të Kinës.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla tha se vënia e këtyre sanksioneve është në koordinimin me BE-në dhe SHBA-të.

“Ministria propozon për shqyrtim dhe miratim vendimin për zbatimin e sanksioneve të caktuara nga Bashkimi Evropian ndaj zyrtarëve të lartë kinez si dhe një entiteti të përfshirë në shkelje të rënda dhe sistematike të të drejtave të njeriut në rajonin Xinjiang të Kinës”, tha ajo.

Sipas saj, zbatimi i sanksioneve të rekomanduara do të ishte një shprehje e solidaritetit dhe një mbështetje e sanksioneve të vendosura nga BE si dhe të masave të ngjashme restriktive të marra po ashtu nga SHBA-të si dhe aleatët tjerë si Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja.

“Duke pasur për qëllim mbrojtjen e paqes, demokracisë e të drejtave të njeriut, marrja e një vendimi të tillë kontribuon në vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-të, BE-në dhje partnerët tjerë në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta”, theksoi Gërvalla.

Ministrja shtoi se këto masa konsistojnë në ndalimin e udhëtimit në territorin e Kosovës dhe ngrirjen e pasurive të mbajtura në Republikën e Kosovës.