Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut do të mbajnë mbledhje të përbashkët
Qeveria e Kosovës dhe e ajo e Maqedonisë së Veriut do të mbajnë të hënën, më 18.11.2024, një mbledhje të përbashkët ndërqeveritare, gjatë të cilës pritet të nënshkruhen disa marrëveshje bilaterale.
Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, do të pritet nga homologu i tij, Albin Kurti, dhe më pas të dy kabintetet qeveritare do të zhvillojnë mbledhjen e përbashkët.
Takimi ndërqeveritar do të mbahet në një restorant në magjistralen Prishtinë- Mitrovicë, prej orës 10:30, atëherë kur pritet të mbërrijnë delegacionet.
Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur që fillimisht do të bëhet ceremonia e mirëseardhjes e më pas fotografia e përbashkët.
Pas këtyre aktiviteteve do të ketë takim bilateral ndërmjet dy kryeministrave dhe takime bilaterale ndërmjet ministrave të qeverive.
Në mesditë është planifikuar takimi ndërqeveritar / G2G ndërmjet Qeverive të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Pas takimit, do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjeve bilaterale, që do të pasohet me një konferencë të përbashkët për shtyp nga dy kryeministrat.
Më 17. 11.2024. Qeveria e Kosovës përmes një mbledhje elektronike ka miratuar nismën për lidhjen e protokollit për pika të përbashkëta të kalimit kufitar me Maqedoninë e Veriut si dhe lidhjen e memorandumit mes dy vendeve në sektorin e energjisë.
Bëhet fjalë për pikat e përbashkëta të kalimit kufitar Hani i Elezit – Bllacë dhe Glloboqicë – Jazhincë.
Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me lidhjen e një memorandumi për energjinë, politikat dhe strategjitë mes dy vendeve në këtë fushë.
Vendimi i dytë ka të bëj me lidhjen e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në Sektorin e Energjisë në përputhje me politikat dhe strategjitë e tyre.