Ilustrim

Qeveria do t’u ndihmojë bizneseve për paga e qira

Ministri i Financave, Besnik Bislimi ka propozuar një pako për emergjencë fiskale.

“Kapaciteti është shumë i kufizuar dhe borxhi është i lartë për shkak të pa pagesave. Masat e Qeverisë edhe në aktivitetin ekonomik janë reflektuar me një automatizëm edhe te të hyrat doganore dhe tatimore nga 7.5 deri në 12.5%. Mund të ketë 200 milionë euro më pak të hyra”, ka thënë ai.

Bislimi ka deklaruar se në kuadër të pakos së masave emergjente që ka përgatitur MF-ja është përgatitur një raport mbi gjendjen e ekonomisë pas përhapjes së pandemisë.

Bislimi ka thënë se synim nuk është kompensimi i të gjitha dëmeve, por minimizimi i tyre.

Po ashtu , Bislimi ka shtuar se Qeveria do t’i kompensojë kompanitë për pagat të cilat ka propozuar të jenë në masën e pagës minimale prej 170 euro.

“Mbulimin e shpenzimeve për paga për ata që janë afektuar në masën e pagës minimale prej 170 euro për dy muaj në vijim, maksimumi i mjeteve të alokuara në këtë masë janë 41 milionë euro. Subvencionimin e qirasë deri në maksimumin e masës deri në 50% për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për dy muajt e ardhshëm. Për punëtorët e ndikuar nga pika 1, që marrin atë pagën shtesë nga qeveria prej 170, qeveria merr përsipër edhe mbulimin e kontributeve pensionale për dy muajt e ardhshëm”, ka thënë ai para mediave./Rtv21