Ndërmarrja Publike “Telekomi i Kosovës”, Foto: Valon Fana, KALLXO.com.

Qeveria do t'ia ndajë rreth 1 milion euro Telekomit të Kosovës për shtrirjen e rrjetit në veri

Qeveria do t’i ndajë Telekomit të Kosovës rreth 1 milion euro në javët në vijim për shtrirjen e rrjetit në komunat veriore.

Kështu ka bërë të ditur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, sot në një konferencë për media pas vizitës në Telekomin e Kosovës.

“Jemi duke shikuar të ndihmojmë Telekomin për të përballuar investimet kapitale për shtrirjen e rrjetit në komunat veriore, një vlerë prej rreth 1 milion euro. Do tentojmë ta bëjmë brenda javëve në vijim, kurse vitin tjetër po flasim për 13 milionë euro që do të shfrytëzohen nga Telekomi për migrimin në kodin telefonik të Kosovës nga ai i Monakos” – ka thënë Rizvanolli.

Ajo ka folur për punën në këtë ndërmarrje teksa ka thënë se Telekomi ështe duke u këndellur.

Sipas Rizvanollit, obligimi për ta përmirësuar cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve dhe për të shtrirë shërbimet e Telekomit në të gjithë vendin është duke u realizuar.

“Në Telekom nuk ishte bërë asnjë investim në teknologji që nga 2015-a. Sot jemi para një momenti shumë më rëndësi, Telekomi është në fund të procesit të zëvendësimit rrënjësor të teknologjisë për telefoninë mobile, apo Vala siç e njohim” – ka shtuar tutje ajo.

Ministrja e Ekonomisë ka thënë se gjatë vitit tjetër do të bëhet migrimi nga kodi i Monakos.

“Gjatë vitit në vijim do të fillojë zbatimi i dy projekteve me rëndësi, migrimi nga kodi i Monakos në kodin që Unioni i Telekomunikimit i ka dhënë Kosovës. Vala do të bëhet e Kosovës përfundimisht. Dhe do të fillojë edhe modernizimi i rrjetit. Qytetarët që nga marsi do të fillojnë t’i ndjejnë përmirësimet në shërbimet e Telekomit” – ka thënë ajo.