Qeveria do t'i verifikojë sipas nevojës refugjatët afganë që priten të strehohen në Kosovë

Qeveria e Kosovës sot ka marrë vendim t’i ofrojë mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershme kontraktorëve afganë, të cilët aktualisht punojnë për NATO-në, përfshirë familjet e tyre.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se refugjatët afganë do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit.

“Në rast të nevojës e me qëllim të sigurisë kombëtare, ata do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit nga institucionet relevante të sigurisë në Republikën e Kosovës. Ky vendim, në përjashtim të kategorisë së personave, të cilëve u ofrohet mbrojtje, korrespondon me pikat tjera të vendimit numër 01/26 të datës 16.8.2021”, është bërë e ditur në njoftim për media.

Tutje është theksuar se paraprakisht, me vendim të qeverisë, mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershme i është ofruar personave që janë në proces të aplikimit për Special Immigrant Visa (Vizave të Veçanta Imigruese) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe personave të kualifikuar nën grupin P2 (klasifikim i veçantë i përcaktuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan si Prioriteti 2), përfshirë familjarët e këtyre dy grupeve.

Mbledhja e mbajtur sot ka qenë në formë elektronike dhe ka qenë në lidhje me ofrimin e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme për personat e rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Më 16 shkurt, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për strehimin e refugjatëve afganë.

Institucionet në Kosovë janë shprehur të gatshme të strehojnë qytetarët afganë, pas komunikimeve që ata kanë pasur me autoritetet amerikane.

Në Afganistan, militantët talibanë kanë marrë kontrollin e shtetit.

Shumë afganë që kanë punuar me forcat e huaja kanë frikë nga hakmarrja e militantëve talibanë për shkak të punës së tyre.