Qeveria dhe populli i Kosovës solidarizohen me popullin dhe shtetin turk

Objekti i Qeverisë së Kosovës është “mbuluar” me flamurin e Turqisë në shenjë solidarizimi me viktimat e tërmetit.

Sipas të dhënave të fundit, ka arritur në mbi 11 mijë numri i të vdekurve nga tërmeti i të hënës në Turqi dhe Siri.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, i cili qëndroi në zonë të mërkurën, tha se të paktën 8 mijë e 500 veta humbën jetën.

Derisa, në Siri, sipas të dhënave nga Qeveria e Damaskut dhe grupet e shpëtimit, të paktën 2 mijë e 470 veta humbën jetën.

Epiqendra e tërmetit të para agimit të së hënës ishte në Pazarcik, pranë qytetit Gaziantepe, afër kufirit Turqi-Siri.

Mbrëmjen e po kësaj dite, një kontingjent i FSK-së ishte nisur drejt Turqisë për t’i dalë në ndihmë këtij shteti.

Gjatë ditës së sotme Ministria e Mbrojtjes e Kosovës bëri të ditur se ekipi i FSK-së ka arritur të nxjerrë nga rrënojat një fëmijë dyvjeçar.

Ekipe të shumta shpëtimi nga e gjithë bota u kanë dalë në ndihmë Turqisë dhe Sirisë në nxjerrje të personave nga rrënojat.