Qeveria-Kuvendi

Foto: Denis Sllovinja

Qeveria dhe opozita komentojnë modelin e Asociacionit përmes Ligjit për Vetëqeverisje Lokale

Kosova ende nuk ka arritur ta gjej një model për zbatimin e marrëveshjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ani pse e nënshkruar në Bruksel që nga viti 2013.

Qeveria dhe opozita e vendit kanë vlerësuar se mënyra e vetme sesi mund të formohet në Kosovë, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është duke marrë shembullin e Asociacionit të Komunave Shqiptare.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka përmendur një model të krijimit të Asociacionit përmes Ligjit të ri për Vetëqeverisje Lokale.

“Sa i përket a mund të ketë ndonjë model tjetër, ajo tashmë është e paraparë në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, sa i përket regjistrimit të OJQ-ve, mirëpo regjistrimin e OJQ-ve nuk e bën as Presidenca as Qeveria. Pra, ato janë çështje të parapara me ligj. Nuk duhet marrëveshje të reja për çështje që tashmë janë të parapara me ligj. Mirëpo kompetenca të reja, ekzekutive e cenim të sovranitetit ato nuk mund t’i lejojmë”, ka thënë dje presidentja në një intervistë në RTK.

Mirëpo qeveria dhe opozita kanë deklaruar se projektligji i ri nuk e prek fare çështjen e Asociacionit, pasi që sipas tyre ky plotësim-ndryshim është bërë për amendamente të tjera.

Elbert Krasniqi, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në një intervistë për KALLXO.com ka thënë se në Kosovë si një shtet multietnik nuk ka hapësirë për një Asociacion një-etnik.

“Te Ligji për Vetëqeverisje Lokale në mënyrë eksplicite përmendet mundësia që komunat të organizohen në Asociacione. Një Asociacion të tillë e kemi si burim të këtij ligji, është Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe ky është i vetmi format i Asociacioneve që e njeh Ligjit për Vetëqeverisje Lokale”, tha ai.

Sipas tij, Ligji i ri për Vetëqeverisje Lokale nuk e përmend fare mundësinë e organizimit të komunave në asociacione.

“Pjesa ku përmendet mundësia e komunave të organizohen në Asociacione nuk është prek fare, si i tillë tash ligji në Kuvend do të jetë në lexim të parë në seancat e radhës, mirëpo do të jenë në diskutim vetëm pjesët e ligjit të cilat ne si sponsor të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale i kemi propozu për ndryshim në Kuvendin e Kosovës, pjesët të cilat nuk i kemi përmend sikur pjesë të ligjit që duhet plotësohen – ndryshohen, nuk do të diskutohen fare”, tha Krasniqi.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se marrëveshja e vitit 2015, e vendos një siguresë se çfarëdo Asociacioni që ndërtohet në Kosovë të shkoj në Gjykatë Kushtetuese për interpretim.

Sipas deputetit të LDK-së, përmes Ligjit për Vetëqeverisje lokale në Kosovë mund të krijohet Asociacion sikurse ai i komunave shqiptare.

“Ligji i cili është i zbatueshëm sot në Kosovë flet për një OJQ, Asociacion i cili është krejtësisht OJQ disa komuna mund të krijojnë një asociacion mund të krijojnë organet të brendshme por gjithmonë karakteri i tyre mbetet si organizatë jo qeveritare, dhe si e tillë më tepër në aspektin e koordinimit të çështjeve sesa në mandat tjetër për të cilin presupozohet që eventualisht dëshira e serbëve që të jetë ajo me kompetenca ekzekutive”, tha ai.

Edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se baza mbi të cilën duhet të formohet Asociacioni i komunave më shumicë serbe, është ajo e Asociacionit të Komunave Shqiptare.

“Kosova e ka një asociacion, sikurse e ka një kushtetutë e cila lejon që të themelohen më shumë asociacione. Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do të duhej të ketë statusin e asociacionit të Kosovës, të ketë përgjegjësitë dhe kompetencat dhe të reflektoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Edhe Tahiri ka theksuar se plotësim-ndryshimi që është duke u bërë në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale nuk e prek çështjen e Asociacionit.

Ndërsa Mërgim Lushtaku, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka thënë se në Kosovë nuk do të lejohet asociacion me kompetenca ekzekutive. Ai ka thënë se PDK do të pres nga qeveria dhe presidenca që të japin versionin e tyre për marrëveshjen e Asociacionit.

“OJQ mund të regjistrohet edhe në bazë të ligjit për OJQ, por jo të ketë ndërlidhshmëri me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale e cila i jep kompetenca organizatave të caktuara. Në do të shqyrtojmë në grupin parlamentar propozimin e saj por sigurisht nëse ne kemi diçka të shkruar dhe të kemi diçka faktike sepse nuk mund të flasim vetëm më diskurse publike dhe fjalime të ndryshme”, tha ai.

Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të tyre të përbashkëta, komunat formojnë dhe marrin pjesë në asociacionet që funksionojnë, në pajtim me ligjin.

Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe parashikohet që të mbledh rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Marrëveshja fillestare për Asociacionin (e vitit 2013) thekson se Asociacioni do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Mirëpo edhe në vitin 2015, Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësimin e BE-së kishin arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e Asociacionit.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Kjo marrëveshje parasheh se Asociacioni do t’i ketë organet dhe strukturën organizative. Sipas kësaj marrëveshjeje, Asociacioni është paraparë të ketë një kuvend si trup suprem, të përbërë nga përfaqësues të emëruar prej anëtarëve të zgjedhur nga kuvendet e komunave pjesëmarrëse.

Në anën tjetër, Asociacioni i Komunave të Kosovës funksionon në Kosovë si organizatë joprofitabile e themeluar për t’i përfaqësuar dhe për t’u shërbyer interesave të anëtarëve të saj, gjegjësisht komunave të Kosovës.

Pjesë e këtij Asociacioni janë 34 komuna të Kosovës. Kuvendi ka 126 anëtarë dhe përbëhet nga të gjithë kryetarët e komunave dhe nga një këshilltar i zgjedhur për secilin nga dhjetë këshilltarët komunalë dhe përfaqësues nga komunitetet jo-shumicë në kuvendet e komunave.

Misioni i këtij Asociacionit është të krijojë qeverisje lokale efikase, të qëndrueshme dhe demokratike përmes përpjekjeve të përbashkëta me komunat dhe përmes tyre të arrihet një performancë e kualitetit të lartë në shërbimin e nevojave për anëtarët e saj.