Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qeveria denoncon vendimin për kompensimin e ekspertëve mjeko-ligjorë, pretendojnë se buxheti u dëmtua rreth 1 milion euro

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka njoftuar se e kanë denoncuar një vendim në lidhje me kompensimin e ekspertëve mjeko-ligjorë.

Ai tha se kanë denoncuar në organet e hetuesisë mos nxjerrjen e akteve të reja nën ligjore pas hyrjes në fuqi të ligjit për mjekësinë ligjore në vitin 2016.

“Në vitin 2016, konkretisht më 6 prill ka hyrë në fuqi ligji i ri për mjekësinë ligjore më që rast janë ishin shfuqizuar të gjitha aktet nënligjore që kanë qenë të bazuara në ligjin paraprak. Në vitin 2017, Këshilli Prokurorial përmes një letre kishte njoftuar ministren e asaj kohe, Dhurata Hoxha se udhëzimi që rregullon kompensimin jashtë orarit të punës së ekspertëve mjeko ligjor kishte vazhduar të bazohet në ligjin që ishte shfuqizuar dhe jo në ligjin e ri të vitit 2016. Por ajo e kishte injoruar këtë letër dhe nuk kishte ndryshuar asgjë”, tha ai.

Sallahu tha se kjo kishte ndikuar në mënyrën e kompensimit jashtë orarit të ekspertëve mjeko-ligjor.

Ai theksoi se gjatë kësaj periudhe duke shfrytëzuar këtë hapësirë ligjore janë kompensuar në mënyrë të jashtë ligjshme dhe selektive disa ekspertë mjeko-ligjor.

“Jemi lajmëruar se individ të caktuar ishin përzgjedhur si ekspert mjeko-ligjor dhe në vijimësi ishin thirrë në më shumë raste për ekzaminime, duke përfituar kështu kompensime. Ky dëme arrin diku vlerën 1 milionë euro. Ne e kemi denoncuar në organet e hetuesisë këtë”, tha Sallahu në konferencë për media.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj me ish ministren e Drejtësisë, Dhurata Hoxha por ajo nuk iu është përgjigjur pyetjeve të redaksisë.