Qeveria: Caqet e reja për energji të ripërtërishme do t'i përmbushim me ankand
Besiana Berisha, zyrtare e lartë nga Departamenti i Energjisë, Divizioni për Burime të Ripërtërishme të Energjisë, Efiçiencë dhe Bashkëprodhim në Ministrinë e Ekonomisë, e ftuar në konferencёn lokale “Politikat e Energjisё sё Ripёrtërishme nё Kosovё” tha se Kosova me marrjen e caqeve të reja nga Komuniteti i Energjisë do të krijojë skema konkurruese apo ankande për përmbushjen e këtyre caqeve.
“Aktualisht Ministria e Ekonomisë është duke rishikuar strategjinë e energjisë që deri tash është si draft, po ashtu jemi duke punuar edhe ne hartimin e planit për energji dhe klimë që përfshin periudhën 2021-2030 dhe gjithashtu jemi edhe në hartimin e dokumentit për burime të ripërtërishme të energjisë, që është fillimisht si koncept dokument përmes të cilit do të jepen edhe rekomandimet më cilësore për sektorin e burimit të energjisë së ripërtëritshme”, tha ajo.
Berisha ka thënë se deri më tash janë dhënë disa rekomandime ku njëri prej rekomandimeve më kryesore është edhe hartimi i Ligjit të ri për Burimet e Ripërtërishme të Energjisë në mënyrë që Kosova të jetë në harmoni me direktivat e BE-së për Energji të Ripërtërishme.
Berisha në konferencë ka thënë se në këtë direktivë do të jenë tri caqe të reja: caqe për burime të ripërtërishme të energjisë, caqet për efiçiencë të energjisë dhe caqet për reduktimin e gazrave serë.
Besiana Berisha tutje ka treguar se caqet për vitin 2020 janë përmbushur dhe aktualisht janë në pritje të Traktatit të Komunitetit të Energjisë që të caktojë caqe të reja, kurse me marrjen e këtyre caqeve të jenë me skemë konkurruese dhe ankand.
“BIRN Kosova”, nё partneritet me “CEE Bankwatch”, “ERA Group” dhe “TV Mrezha”, mbajtën konferencёn lokale “Politikat e Energjisё sё Ripёrtërishme nё Kosovё”.
Në konferencën e moderuar nga Jeta Xharra – drejtoreshё e “BIRN Kosova”, mbajtur më 28 qershor, ishin të pranishëm edhe Pippa Gallop – këshilltare e Energjisë në Ballkanin Perëndimor nga “CEE Bankwatch”, Jeta Statovci – deputete në Kuvendin e Kosovës dhe zëvëndëskryetare e parë e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ymer Fejzullahu – udhëheqës i Departamentit për Tarifa dhe Çmime në Zyrën e Rregullatorit për Energji, Besiana Berisha – zyrtare e lartë nga Departamenti i Energjisë, Divizioni për Burime të Ripërtëritshme të Energjisë, Efiçiencës dhe Bashkëprodhimit, Dajana Berisha – bashkëthemeluese e ‘Konzorciumit për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë’ (KOSID) dhe Trim Tërnava – CEO në ‘Jaha Solar Panel’ dhe konsulent i energjisë së ripërtëritshme.
Temat e trajtuara në konferencën e diskutimit ishin kryesisht të fokusuara në politikat e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë dhe zhvillimin e ngadaltë të energjisë së gjelbër. Gjithashtu, panelistët ofruan njohuritë e tyre në ndikimin e sektorit të energjisë në mjedis dhe në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, si dhe rekomandime për politikat e ardhshme, të cilat do të ndihmojnë në integrimin e burimeve të ripërtëritshme në energjinë e Kosovës. Në fund të diskutimit, në mes të panelistëve, të pranishmit në audience paten rastin t’i adresojnë shqetësimet e tyre duke bërë pyetje dhe duke marrë pjesë në diskutim.
Kjo konferencë u organizua si pjesë e aktivitetit “Ditët e Energjisë së Gjelbër 2021”, aktivitet brenda projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës”. “Ditët e Energjisë së Gjelbër”, do shtrijnë aktivitetin deri më 7 korrik 2021.
Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian. Ky botim është pjesë e aktivitetit “Ditët e Energjisë së Gjelbër 2021” që mbahet nga 28 qershori deri më 7 korrik 2021, brenda projektit të financuar nga Bashkimi Evropian, “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës”.