Britania e Madhe, Foto: Pixabay

Qeveria britanike mblidhet urgjentisht pas trazirave të dhunshme

“Downing Street” ka konfirmuar se do të mbajë takim urgjent të hënën si kundërpërgjigje ndaj trazirave që rezultuan me më shumë se 150 persona të arrestuar pas trazirave që përfshinë qytetet dhe qytezat britanike në fundjavë, shkruan BBC.

Takimi do të mbahet pasi kryeministri Keir Starmer dënoi sulmin në një hotel ku mbaheshin azilkërkuesit në Rotherham dhe premtoi se të përfshirët në trazira do të përballen “me forcën e plotë të ligjit”.

Policia reagoi pas skenave të dhunshme në Rotherham, Middlebrough, Bolton dhe pjesë tjera të Britanisë së Madhe në fundjavë.

Takimi “Cobra” do të mbahet pas gjashtë ditësh me dhunë përshkallëzuese pas therjes fatale me thikë të tri vajzave të vogla javën e kaluar në Southport.

Takimet “Cobra”, sikur njihet shkurt, janë iniciale të mbledhjeve në sallën A të takimeve në zyrën e kabinetit në “Whitehall”.

Është një komitet reagimi ndaj situatave emergjente, ku bëhen bashkë ministrat, shërbyesit civilë, policia, zyrtarët e inteligjencës dhe zyrtarët e tjerë të fushave të caktuara varësisht se për çfarë teme mbahet takimi.

Takimi urgjent i këtij komiteti ka për qëllim t’i ofrojë Qeverisë të dhënat e fundit për gjendjen pas dhunës të fundjavës dhe për hapat që duhet të marrë ekzekutivi në ditët e ardhshme. Do të ketë përfaqësim ministror dhe të zyrtarëve të lartë të policisë britanike. Burimet e BBC-së kanë sugjeruar se ky takim duhet të shihet në dritën e përmbajtjes së mbledhjeve që tashmë janë mbajtur, si ato ndërmjet kryeministrit dhe shefave policisë të enjten, dhe një takimi të ministrave të lartë të shtunën./BBC

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – KALLXO.com