Foto: HRT/IMS

Qeveria: Bashkatdhetarët e aksidentuar në Kroaci do të vijnë në Aeroportin e Prishtinës pas orës 22:00

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se bashkatdhetarët të cilët i kanë mbijetuar aksidentit tragjik në Kroaci, do të vijnë në Kosovë me transport ajror, sonte pas orës 22:00.

Sipas qeverisë, gjendja shëndetësore e tyre është stabile.

“Qeveria e Republikës së Kosovës me të gjitha institucionet dhe kapacitetet e veta po punon maksimalisht për t’u ofruar kujdesin dhe trajtimin e duhur bashkatdhetarëve tanë të aksidentuar në Kroaci. Insititucionet e Kosovës në koordinim me institucionet e Kroacisë, kanë organizuar kthimin e bashkqytetarëve tanë në Kosovë, gjendja shëndetësore e të cilëve është stabile. Ata do të vijnë sonte me transport ajror, pas orës 22:00”, thuhet në njoftim.

Qeveria ka shtuar se do të organizojë transportin dhe përcjelljen e bashkëqytetarëve nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” deri te familjet, në vendbanimet e tyre.

“Ministria e Punëve të Brendshme është në kontakt të vazhdueshëm me familjet e viktimave lidhur me procedurat e kthimit në Kosovë të trupave të personave që humbën jetën në aksidentin tragjik të së dielës”, vijon njoftimi.

Më 25 korrik 10 bashkatdhetarë kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar si pasojë e aksidentit në Kroaci, pasi autobusi humbi drejtimin.