Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qeveria arsyeton votën abstenim të ministrit Rashiq për ndarjen e fondeve për librin e Walker për Reçakun

Qeveria e Kosovës e ka arsyetuar abstenimin e ministrit Nenad Rashiq për propozimin e ndarjes së 70 mijë eurove për librin e ish-ambasadorit William Walker për masakrën e Reçakut.

Sipas qeverisë, abstenimi i ministrit Rashiq erdhi për shkak se ai nuk ka qenë pjesë e diskutimeve paraprake për këtë propozim.

Nenad Rashiq ishte ministri i vetëm që në mbledhjen e djeshme abstenoi kur u propozua ky vendim nga kryeministri Albin Kurti.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu tha se ministri Rashiq me qenë se ka marrë detyrën së fundmi, nuk ka qenë pjesë e diskutimeve paraprake për këtë çështje.

“Ministri Rashiq nuk ka qenë pjesë e diskutimeve paraprake për atë pikë të vendimit, meqë ato kishin pas nisur para emërimit të tij, dhe në mungesë të informacioneve të plota, ai ka abstenuar. Një votim i tillë, nuk paraqet qëndrim politik të ministrit Rashiq dhe nuk mund të interpretohet si mohim i masakrës së Reçakut”, tha Kryeziu për KALLXO.com.

Të mërkurën, Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim vendimin për ndarjen buxhetore në vlerë prej 70 mijë eurove për promovimin e librit ”Reçaku”.

Kryeministri Albin Kurti tha se këtë të diele bëhen 24 vite nga masakra e Reçakut dhe tregoi se libri do të shkruhet nga ish-udhëheqësi i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker.

Sipas tij, libri do të përshkruaj ngjarjet e ndërlidhura me masakrën e Reçakut të paraqitura nga këndvështrimi i Walker, të treguara nga perspektiva e tij personale si shef i misionit verifikues të BE-së.

Pas hedhjes në votim të propozim-vendimit për ndarjen buxhetore të librit “Reçaku”, i gjithë kabineti qeveritar ishte pro, mirëpo ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq ka abstenuar.

Qeveria ndan 70 mijë euro për promovimin e librit ‘Reçaku’, ministri Rashiq abstenon