
Qeveria e Kosovës, Foto: KALLXO.com
Qeveria aprovon Udhëzimin që u mundëson çifteve regjistrimin e pronës në emër të përbashkët pa pagesë
Qeveria e Kosovës ka aprovuar Udhëzimin Administrativ për Masat e Veçanta për Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme të Përbashkët në Emër Të Dy Bashkëshortëve.
Një Vendim të tillë e ka marrë në mbledhjen elektronike të mbajtur më 13.03.2025.
Edi Gusia, Drejtoreshë e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, tha për KALLXO.com.com se me këtë Udhëzim Administrativ (UA) çifti e regjistron pronën në emër të përbashkët pa pagesë, si masë e përhershme për tri (3) vjet.
Më pas sipas Gusisë pas tri vjetësh e regjistrojnë me pagesë, ashtu siç e kërkon Ligji, “me shpresën që nuk do të ketë nevojë më për masa afirmative”.
“Kur e kemi filluar i kemi pas 105 çifte. Vjet në total kanë qenë 17,000 çifte.” – tha ajo, për numrin e çifteve të cilat kanë regjistruar pronën në emër të përbashkët.
Këtij Udhëzimi Administrativ në çështjen e lirimit nga pagesa e tarifës i ka hapur rrugë ndryshimi që ka ndodhur në Udhëzimin Administrativ i Agjencisë Kadastrale në vitin 2024.
Sipas UA-së Kontrata për blerjen e një pasurie të paluajtshme dhe dokumentet e tjera për fitimin e së drejtës së pronësisë dhe posedimit që është krijuar me kontributin e të dy bashkëshortëve duhet të përmbajë emrat e të dy bashkëshortëve si bartës të së drejtës së pronësisë së përbashkët në pjesë të papërcaktuara.
Në vitin 2016, Agjencia për Barazi Gjinore, në bashkëpunim me Agjencinë Kadastrale të Kosovës, e kishte bërë lansimin e Udhëzimit Administrativ për Masat e Veçanta për Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme të Përbashkët në Emër Të Dy Bashkëshortëve”.
Të njëjtin paraprakisht e kishte miratuar Qeveria e Kosovës, me qëllim të inkurajimit të çifteve të reja që nga fillimi i krijimit të pronës ta gëzojnë të drejtën e regjistrimit të asaj prone në emër të dy bashkëshortëve – e drejtë që është e garantuar edhe me Kushtetutën e Kosovës dhe me Ligjet në fuqi.
Përfitimet që dilnin nga ky Udhëzim Administrativ i vitit 2016 për regjistrimin e pronës në emër të përbashkët të dy bashkëshortëve është lirimi nga tarifa për shërbimin e regjistrimit, lirimi nga tatimi mbi pronën për periudhën 1 vjeçare, si dhe lirimi nga tarifa për shpenzimet e noterit.
Në bazë të Udhëzimit të vitit 2016 autoritetet publike obligohen që të zbatojnë masa të veçanta të përkohshme, me qëllim të rritjes së numrit të grave të regjistruara si pronare të përbashkëta, si dhe me qëllim të përshpejtimit të realizimit të barazisë faktike midis burrave dhe grave në të drejtën pronësore.
UA i vitit 2016 ishte plotësuar-ndryshuar në vitin 2022 – duke e vazhduar kohëzgjatjen nga 1 vjet në 7 vjet, apo gjithsej 9 vjet deri në vitin 2025.