Qeveria e Kosovës. Foto: Arjana Berisha, KALLXO.com
Qeveria aprovon projektet kapitale për ndërtimin dhe renovimin e stadiumeve të disa qyteteve në Kosovë
Qeveria e Kosovës, përmes një mbledhje elektronike, më 06.11.2024, ka aprovuar disa projekte kapitale, përfshi ndërtimet dhe renovimet e disa stadiumeve në Kosovë.
Sipas një komunikate për media, këto projekte kapitale shumë-vjeçare përfshijnë ndërtimin e Stadiumit të Qytetit në Pejë, renovimimin e Stadiumit “Përparim Thaçi” në Prizren, ndërtimin e Stadiumit të Qytetit në Ferizaj, renovimin e Stadiumit të Qytetetit në Vushtrri dhe renovimin e Galerisë Kombëtare.
Në njoftim bëhet e ditur se qeveria gjithashtu ka emëruar Komisionin Ad hoc për Vlerësimin Profesional për Pranim për Pozitën e Lartë të Kategorisë Drejtuese: “Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit” dhe ka emëruar Komisionin Ad hoc për Vlerësimin Profesional për Pranim për Pozitën e Lartë të Kategorisë Drejtuese: “Drejtor i Përgjithshëm në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës”.
Kabineti qeveritar gjithashtu ka miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika.