Qeveria aprovon pjesën e dytë të ndihmës financiare për kulturë, rini dhe sport

Qeveria e Kosovës ka aprovuar sot pjesën e dytë të shumës prej 2,500,000.00 eurove nga pakoja emergjente për rimëkëmbje ekonomike, dedikuar kulturës, rinisë dhe sportit.

Gjatë mbledhjes së sotme, Qeveria e Kosovës i ka miratuar masat për zbatimin e programit për rimëkëmbje ekonomike për vitin 2021, që është pjesë e buxhetit në vlerë prej 222.4 milionë euro.

Në kuadër të këtij programi hynë edhe ndihma për aktivitetet kulturore, rini e sportive.

“Në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të ndahen mjete në shumën 2,500,000.00 euro (dy milionë e pesëqind mijë euro) për mbështetjen financiare për punësimin e të rinjve, përkrahjen e organizatave dhe shoqërisë civile, grupeve tjera jo formale, stimulimin e aktiviteteve kulturore, artistike, sportive dhe rivitalizimin e tyre”, thuhet në vendimin e qeverisë, me të cilin u aprovuan masat për zbatimin e programit për rimëkëmbje ekonomike për vitin 2021, që është pjesë e buxhetit në vlerë prej 222.4 milionë euro.

Këto mjete janë pjesë e pakos prej 5 milionëve të aprovuar vitin e kaluar nga Qeveria e Kosovës për fushat që mbulon MKRS-ja, pas masave të marra për parandalimin e Coronavirusit.