
Kandidatja e LDK-së Jehona Lushaku-Sadriu. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
‘Qeveri bllokadash’- Nënkryetarja e Prishtinës reagon pas ndalimit të punimeve në sheshin ‘Xhorxh Bush’
Inspektorati për Trashëgimi Kulturore i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i ka vendosur një njoftim me të kuqe se iu “ndalohen punimet” në sheshin ‘Xhroxh Bush në Prishtinë.
Për këtë, ka reaguar nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Jehona Lushaku, përmes një shkrimi në profilin e saj në Facebook.
Në reagimin e saj, Lushaku ka drejtuar akuza drejt Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku për të cilin tha se dha urdhër për t’i ndaluar punimet në projektin e këtij sheshi.
Sipas saj, “të jesh fitues i zgjedhjeve nuk do të thotë të keshë të drejtën të bllokosh projekte në nivele komunale, mbasi partia jote nuk qeveris në atë komunë”.
“Ky veprim i Ministrit Çeku tregon më së miri se si e kuptojnë pushtetin në VV: pra, si një mundësi për të bllokuar çdo iniciativë dhe projekt të partive të tjera, qoftë edhe nëse me këtë i ndëshkojnë qytetarët e këtij vendi, në këtë rast të kryeqytetit të Kosovës”- ka shrruar Lushaku, të mërkurën më 12.03.2025.
Lushaku tutje ka akuzuar Qeverinë e Lëvizjes Vetëvendosje se ‘po përdor pushtetin për interesa të gushta partiake’.
“Kjo është një dëshmi e plotë e mentalitetit që dominon në VV: bllokada dhe pengesa për çdo iniciativë që nuk është e tyre.Për keqardhje!”- ka shkruar ndër të tjera Lushaku.
Dy ditë pasi Përparim Rama përuroi fillimin e punimeve për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush”, Inspektorati për Trashëgimi Kulturore i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i ka vendosur një njoftim me të kuqe se iu “ndalohen punimet”.
Kryetari Rama thotë se projekti i Sheshit “Xhorxh Bush” do të lehtësojë jetën e qytetarëve
KALLXO.com ka provuar që të marrë një përgjigje nga Komuna e Prishtinës dhe nga Inspektorati për Trashëgimi Kulturore por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndërsa, pas kësaj situate, Komuna e Prishtinës, ka thirrur konferencë për media nga ora 18:30.
Sipas njoftimit të komunës, në këtë konferencë do të pronocohen Gezim Kastrati, Drejtor i Transformimit, Arber Sadiki, Drejtor i Planifikimit dhe Donat Lushaku, Zëdhënës
Fillimi i punimeve për ndërtimin e Sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë është përuruar të hënën më 10.03.2025.
Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama deklaroi se punimet do të përfshijnë hapësirën prej Katedrales “Nënë Tereza” deri te Sheshi “Zahir Pajaziti”.
Rama tha se ky projekt është ndër projektet më të mëdha që do të lehtësojë jetën e qytetarëve të Kryeqytetit – duke ndikuar në turizmin dhe ekonominë e Prishtinës.
Për këtë projekt, në janar 2025, Komuna nënshkroi kontratë në vlerë 18.1 milionë euro me grupin e Operatorëve Ekonomik: Salillari, Gjini Construction Sh.P.K, Hidroterm Sh.P.K.Njoftimi për dhënie të tenderit është publikuar të premten, më 30.01.2025 dhe vlera e këtij tenderi parashihet të jetë 18 milionë e 162 mijë e 896 euro.Procedura e prokurimit për ndërtimin e sheshit ‘Xhorxh Bush’, ishte pezulluar më 12.09.2024, si shkak i një ankese nga një operator ekonomik në Organin Shqyrtues të Prokurimit, masë kjo e paraparë me ligj