Qëndroni 'i vetëm’ në iniciativën për riorganizimin e shkollave

Për më shumë se një vit, banorët e fshatrave të Kamenicës kanë kundërshtuar iniciativën për riorganizimin e shkollave të marrë nga autoritet komunale.

Asnjë nga fazat e këtij projekti nuk janë përkrahur nga qytetarët e Kamenicës, për çka ministri i Arsimit, Ramë Likaj dhe Komisioni për Arsim kanë kërkuar pezullimin e këtij vendimi për një vit.

Edhe Avokati i Popullit ka publikuar një raport i cili ka konstatuar se vendimet e kryetarit të Kastrati janë në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe standardet e përcaktuara nga MASHT-i, duke kërkuar rishikim të vendimit.

Ndërsa dje, pas shumë kundërshtimesh banorët organizuan një protestë dhe pas përplasjes më policinë nën pranga përfunduan katër persona nën dyshimin për pengim të personave zyrtarë në kryerje të detyrës.

2,968 nxënës kanë qenë pjesë e kësaj nisme të kryetarit Kastrati, për të cilën assesi nuk është duke lëshuar pe.

Në kuadër të këtij riorganizimi ishte planifikuar që cikli i ulët klasa 1-5 dhe cikli i lartë klasa 6-9 të ndahen në objekte të veçanta.

Me vendimin për riorganizim parashihej mbyllja e 19 shkollave në këtë komunë.

Në raportin mbi organizimin e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta të publikuar në faqen zyrtare të Komunës së Kamenicës është treguar sesi do të bëhet grumbullimi i nxënësve nëpër shkolla.

 

 

Kastrati: ‘Reforma’ është keqkuptuar vazhdimisht

Duke e konsideruar të domosdoshëm riorganizimin e shkollave për fëmijët, i pari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati e ka konsideruar si të papranueshme pjesëmarrjen e fëmijëve në protestë.

“I papranueshëm është keqpërdorimi i fëmijëve në protestë. Është absolutisht e ndaluar manipulimi me fëmijë dhe përdorimi i tyre në protesta, aq më keq kur këtë e bëjnë grupe të caktuara për interesa politike e personale”, ka shkruar Kastrati në facebook.

Ndërsa përmes një videoje të publikuar në facebook, Kastrati ka deklaruar se iniciativa e tij vazhdimisht është keqkuptuar sepse sipas tij ajo ka qëllim të mirë.

“Procesi i riorganizimit të shkollave në thelb e ka pas qëllimin e mirë. Mirëpo, këtë proces e kanë përcjellë keqkuptime të vazhdueshme. Fillimisht u keqkuptova për seriozitetin e nismës, tutje u keqkuptova për seriozitetin e përballjes me kundërshtimet. Dhe sot po vazhdon keqkuptimi i lidhjes me zmbrapsjen time”, ka treguar Kastrati.

Kastrati ka kërkuar nga prindërit që ti dërgojnë fëmijët në shkolla për të mos humbur më shumë mësimin.

Qehaja: Të pezullohet reforma deri në arritjen e marrëveshjes komunë-komunitet

Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard në një prononcim për KALLXO.com e ka parë si shqetësuese situatën e krijuar në komunën e Kamenicës.

“Situata e krijuar me reformën në Komunë të Kamenicës është shqetësuese, jo shumë për debatin e krijuar por më shumë rreth dëmit që fëmijët kanë përjetuar nga kjo situatë, dje te drejtën e tyre kushtetuese për mundësi barabarta për t’u arsimuar”, ka thënë Qehaja.

Duke folur për mospajtimet prindër- komunë, Qehaja ka vlerësuar se riorganizimi nuk duhet të marrë kahje politike.

“Komunikimi i hapur i ndërtuar në argument paraqesin parametra për pikënisje të reformës, reforma prek komunitetin, dhe si e tillë nuk mund të anashkaloj komunitetin në vendimmarrje. Është e padrejte që reforma të marrë kahja politike pasi që thelbi i saj shkon përtej politikës”, tha ai.

Në fund ai ka kërkuar pezullimin e reformës deri në arritjen e marrëveshjes me banorët si dhe deri në organizimin e një analize të plotë të fizibilitetit për riorganizimin e shkollave.

“Reforma tashmë është e cunguar, dhe si e tille duhet të pezullohet deri në një arritje të marrëveshjes mes komunës dhe komunitetit, e kjo, shkon përtej inateve mes palëve të përfshira. Ristrukturimi kërkon debat të gjerë në nivel vendi, dhe analizë të mirëfilltë të fizibilitetit si argument për ndryshim”, ka thënë ai.

Pavarësisht kundërshtimeve, Qëndron Kastrati vazhdon me riorganizim të shkollave në Kamenicë