Qëndron Kastrati. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Qëndron Kastrati ulë koston për dreka e darka zyrtare, por prapë paguan alkool me buxhet të Komunës
Për dallim nga qeverisjet e kaluara në Komunën e Kamenicës, qeverisja e Qëndron Kastratit ka zvogëluar dukshëm shpenzimet e buxhetit të komunës për dreka dhe darka zyrtare.
Mirëpo, edhe tani ka raste kur buxheti i komunës shpenzohet në dreka e darka në të cilat nuk mungon alkooli e mishi.
KALLXO.com ka siguruar faturat e drekave dhe darkave zyrtare të Komunës së Kamenicës për periudhën e viteve 2019, 2020.
Për këtë periudhë janë gjithsej 75 fatura, për vitin 2019 janë shpenzuar 3,867 euro e 40 cent, ndërsa në vitin 7,693 euro e 15 cent në dreka dhe darka zyrtare.
Në 44 prej tyre kanë arsyetimin “ushqim dhe pije”, 31 tregohen produktet që janë konsumuar, ndërsa në 4 prej tyre buxheti është shpenzuar edhe në alkool.
Akomodimi, ushqimi dhe pijet për 21 ditë në një nga hotelet në Kamenicë për angazhimin e ekspertes gjermane nga SES- Gjermania (The Senior Eksperten Service) buxhetit të Komunës së Kamenicës i kishte kushtuar 739 euro.
Mishi i konsumuar në këtë drekë, përpos pijeve joalkoolike ishte shoqëruar edhe me verë e birrë. Në këtë drekë ishin konsumuar 16 verëra në vlerë prej 46 eurove si dhe 8 birra në vlerë prej 8 eurove.
Alkool me buxhet të komunës ishte paguar edhe më 13 dhjetorë 2020, në një ‘tubim’ në të cilin nuk ishte ngrënë drekë,
Në faturën e cila ka vlerën prej 74 eurove, 14 euro ishin shpenzuar në 7 gota raki ftoni, ndërsa 4 euro ishin shpenzuar në birra.
Më datë 17 dhjetorë 3 porcionet e biftekut të viçit ishin shoqëruar me 4 gota të rakisë së dardhës, në total dreka kishte kushtuar 50 euro e 20 cent, ndërsa nga to 10 euro ishin shpenzuar në alkool.
Edhe më datë 7 mars, në një nga ‘pauzat e kafes’ ishte konsumuar alkool. Dy birra në vlerë prej dy eurove ishin konsumuar në faturën e cila ka vlerën prej 21 eurove.
Ky është mandati i parë i Qëndron Kastratit në krye të Komunës së Kamenicës.
Qëndron Kastratit për tri vite, për dreka dhe darka ka shpenzuar në total 15 mijë e 156 euro e 55 cent.
Në vitin 2018 në dreka dhe darka zyrtare, Kastrati ka shpenzuar 3 mijë e 596 euro, në vitin 2019 ka shpenzuar 3 mijë e 867 euro e 40 cent, ndërsa në vitin 2020, 7 mijë e 693 euro e 15 cent.
Përpara tij me këtë komunë kishte udhëhequr, Begzad Sinani nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Për 4 vite mandat, Sinani kishte shpenzuar 89 mijë e 981 euro e 71 cent në dreka dhe darka zyrtare.
Në vitin e parë të mandatit, pra në vitin 2014, ai kishte shpenzuar 23 mijë e 672 euro e 39 cent në dreka dhe darka zyrtare. Në vitin 2015 Sinani kishte shpenzuar 23 mijë e 420 euro e 40 cent.
Në vitin 2016, Begzad Sinani kishte rritur shpenzimet në dreka dhe darka zyrtare në 24 mijë e 420 euro e 40 cent.
Ndërsa në vitin e fundit i kishte zvogëluar këto shpenzime në 18 mijë e 238 euro e 52 cent.
Më së shumti buxhetin e Komunës në dreka dhe darka zyrtare e kishte shpenzuar paraardhësi i Sinanit, Shaip Surdulli nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Qeverisja e Surdullit për 4 vjet mandat nga viti 2010 deri në vitin 2013, buxhetit të Komunës së Kamenicës i kishte kushtuar hiç më pak se 136 mijë e 239 euro e 7 cent.
Në vitin e parë të mandatit, Surdulli kishte shpenzuar 22 mijë e 94 euro e 53 cent në dreka dhe darka zyrtare. Pastaj në vitin e dytë i kishte rritur shpenzimet në 25 mijë e 489 euro e 12 cent.
Edhe në vitin e 3-të të qeverisjes me Kamenicën, Surdulli kishte rritur shpenzimet në 44 mijë e 182 euro e 96 cent në dreka dhe darka zyrtare.
Ndërsa në vitin e fundit, Surdulli në dreka dhe darka zyrtare kishte shpenzuar 44 mijë e 526 euro e 46 cent në dreka dhe darka zyrtare.