Jeta në Komunë, Kamenicë. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qëndron Kastrati tregon se çfarë zgjidhje do t’i bëjë klubit të atletikës 'Rogana'

Klubi më i suksesshëm në Kamenicë është klubi i Atletikës “Rogana”, atletët e këtij klubi kanë garuar edhe në lojëra olimpike, kampionate botërore, kampionate evropiane. Vijona Kryeziu dhe Musa Hajdari, kanë qenë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike “Rio 2006”, në Brazil.

Për vitin 2019, Komuna i ka ndarë vetëm 5 mijë euro për Klubin e Atletikës “Rogana”.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati”, në debatin “Jeta në Komunë”, ka thënë se i kanë përkrahur më shumë se vitet e tjera atletët e Roganës.

“Çka mundem me thanë është se ne e kemi përkrah më shumë se të gjitha vitet bashkë që janë përkrahë. Veç po dua me u ndërlidh në raport me vitet mos të harrojmë i kemi pasur krejt 9 mijë euro për të gjitha kategoritë, përfshi edhe sportin. Nëse nuk gaboj një vit e kemi përkrahë me 10 mijë euro, kemi bërë marrëveshje ku ata marrin pagë çdo muaj, komuna së bashku me Komitetin Olimpik”, ka thënë Qëndron Kastrati në emisionin “Jeta në Komunë”.

Kastrati ka thënë se duhet ta caktojnë një zonë së bashku me klubin e atletikës “Rogana”, për një vend ku mund t’i zhvillonin ushtrimet ky klub.

“Kërkesat e tyre çka janë tash te na përveç një përkrahje më të dinjitetshme për me mujt me funksionu klubi janë me e caktu një zonë të caktume dhe së bashku me kriju një projekt ku ata munden me i zhvillu ushtrimet”, ka thënë Kastrati.

 

Në debatin ‘Jeta në Komunë’, Kastrati do të sfidohet me problemet që i ka shkaktuar riorganizimi i shkollave, mungesën e ujit, mungesën e kanalizimit, problemet e komunitetit serb si dhe problemet në shëndetësi.

Tek pyetjet nga ‘Zëri i Qytetarëve’ Kastrati do të pyetet për rrëshqitjen e dheut në Kamenicë, problemet me kanalizim në Topanicë, mungesën e ndriçimet për banorët serb në Hodonoc.

Në fund të emisionit do të transmetohen dy storie suksesi në Kamenicë, atë të fotografit Arian Mavriqi, që po promovon kafshët shpendët dhe bukuritë e rralla të vendit tonë, e poashtu do transmetohet reportazhi për familjen Krasniqi, e cila kërpudhat e shijshme të rritura në Kosovë po i eksporton nëpër Evropë.

Përveç Kastratit në studio do të jenë të pranishëm asamblistët Besnik Rrudhani – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Afrim Dërvishi-  Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Ndërsa përmes zoom do të jenë të kyçur: Lavdim Klaiqi, pjesëtar i shoqërisë civile në Kamenicë, Besim Osmani, përfaqësues ligjor i prindërve në Kamenicë dhe Arsim Thaçi – mësimdhënës.