Qëndron Kastrati tregon gjendjen e shkollave, pasi gjykata vendosi të pezullojë ‘riorganizimin’

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, javë më parë pati kërkuar që të bëhet ‘riorganizimi’ e shkollave në komunën e udhëhequr nga ai, por një gjë e tillë është pezulluar nga Gjykata pasi që prindërit nuk ishin të kënaqur me kërkesë për ‘riorganizim’ të shkollave.

Kastrati ka publikuar disa fotografi të shkollave në Kamenicë, sipas tij këto fotografi janë padrejtëse dy dekadëshe ndaj gjeneratave.

“Kur kemi filluar me hulumtimin në shkolla i kemi gjetur librat nëpër depo, kanalizime tek dera e shkollës, mësues që nuk shkonin në mësim e nxënës në klasë të tretë që nuk dinë shkrim lexim bazik. Do të doja t’i përmirësoja këto kushte me shkop magjik. Mirëpo nuk jam iluzionist e as në iluzione. Nuk kishte mundësi të bëhej ndryshe”, ka shkruar Kastrati në facebook.

Ai ka njoftuar se nga 13 shkollat të cilët janë pjesë e riorganizimi të shkollave, nëntë prejt tyre respektojnë vendimin për riorganizim në tërësi, një shkollë e respektonë pjesërisht dhe vetëm tre shkolla nuk e respektojnë.

Rreth 75% e riorganizimit është duke funksionuar si duhet, ka shkruar tutje Kastrati.

Njoftimi i plotë:

Fotografitë e mëposhtme nuk janë veç imazhe pa përmbajtje. Ato janë padrejtësia dy dekadëshe ndaj gjeneratave të shumta të nxënësve të Kamenicës, mësuesve e të gjithë punëtorëve të arsimit. Janë indiferenca e pushtetit ndaj zemrës së shoqërisë, kurrizit të komunitetit. Arsimi. Janë pasqyra e rezultateve të PISA-s ku fëmijët tanë, pa asnjë të vetmin faj të tyre, dalin analfabetë funksionalë. Janë arsyeja e disa prindërve për të marrë rrugë mërgimi e disa të tjerëve për të vazhduar qëndrimin në Kosovë, por të dëshpëruar.

Hiqeni emrin Qëndron Kastrati nga ekuacioni, dhe bëhuni të sinqertë rreth ndjenjës tuaj për arsimin në Kamenicë, në Kosovë. Është inat, është thyerje, është dëshprim.

Si kryetar komune e kuptova thellësisht e qartësisht problemin e arsimit në komunë. Këtë ma tregoi hulumtimi në terren, këtë e vërtetuan diskutime të shumta me ekspertë, këtë e tregonin fotografitë e mëposhtme. Nuk mund të kishte investime kapitale në arsim pa buxhetin i cili ishte i bllokuar nga pagat e mësimdhënësve tepricë. Nuk mund të kishte menaxhim të duhur të shkollave pa zvogëlim të numrit të objekteve. Nuk kishte rritje në cilësi të arsimit pa e arritur këto kushte, rritur konkurencën e shoqërimin e fëmijëve.

Kur kemi filluar me hulumtimin në shkolla i kemi gjetur librat nëpër depo, kanalizime tek dera e shkollës, mësues që nuk shkonin në mësim e nxënës në klasë të tretë që nuk dinë shkrim lexim bazik. Do të doja t’i përmirësoja këto kushte me shkop magjik. Mirëpo nuk jam iluzionist e as në iluzione. Nuk kishte mundësi të bëhej ndryshe.

Një vit pas, ne kemi zbatuar udhëzimin administrativ të MAShT për numrin e nxënësve në klasë dhe raportin mësimdhënës-nxënës. Kemi zbatuar udhëzimin administrativ të MAShT për planifikimin e investimeve kapitale. Kemi organizuar transportin për bartjen e nxënësve e kontrata me prindër për të njëjtin qëllim.

Një vit pas, nga 13 shkolla të cilat janë pjesë e riorganizimit të shkollave, 9 prej tyre e respektojnë vendimin për riorganizim në tërësi. 100%. 1 shkollë e respekton pjesërisht dhe vetëm 3 shkolla nuk e respektojnë.  Rreth 75% e riorganizimit është duke funksionuar si duhet.

Për shkak të dallimit në nivelin e njohurive i fëmijëve nga klasa me pak nxënës në raport me fëmijët nga shkolla më të dendura na është dashur të angazhojmë mësimdhënës mbështetës. Kemi angazhuar bibliotekistë e pedagogë për çdo shkollë. Kemi angazhuar psikologë e logopedë. Këto shërbime iu kushtojnë qindra euro prindërve që kanë nevojë për to. Flisni me ta dhe e kuptoni vështirësitë që i kanë pasur.  

Kemi renovuar shkollën Rexhep Mala, kemi rregulluar nyjet sanitare në disa shkolla. Javën e ardhshme do të shpërndahen rreth 2000 libra për shkollat. Janë shpërndarë rreth 70 laptopë kompjuterë e tabletë për nxënësit për mësim nga shtëpia. Shkollat janë pajisur dhe do të pajisen edhe me mbi 100 laptopë, projektorë e kompojuterë (në procedurë të prokurimit).  Të gjithë nxënësit deri në klasën e V-të do të pajisen me dollapë personalë (është në procedurë të prokurimit). Deri në fund të vitit, çdo shkollë do të pajiset me të gjitha pajisjet sportive elementare (në procedurë). Në gjysmën e shkollave do të vendosen perde për t’ua mundësuar fëmijëve mësimin pa pengesë (në procedurë). Do të renovohen edhe dy shkolla nga Fondi për Eficencë. Do të ndërtohet shkolla moderne e Fan Nolit. Secila shkollë do të ketë laborator të biologjisë dhe kimisë me të gjitha pajisjet e nevojshme (në procedurë prokurimi). Shkollat do të pajisen me 3D printerë për t’ua mundësuar nxënësve qasjen në botën inovative të teknologjisë dhe mësimin e praktikës në fushën më të kërkuar në botë. Një çerdhe shumë e nevojshme do të hapet në Shipashnicë të Poshtme ku banorët e fshatrave përreth do të mund t’i dërgojnë fëmijët e tyre.

Gjithë kjo dhe shumë të tjera kanë ndodhur dhe po ndodhin për shkak të reformës. Përndryshe, energjia, kapacitetet humane, kapacitetet e menaxhimit, financat e të gjitha do të shkonin në sigurimin e kushteve, investime kapitale e menaxhimin e një numri absurd të shkollave në Komunën e Kamenicës. Kamenica ka nxënës MË PAK se shkolla Ismail Qemali në Prishtinë. Një shkollë. Për një shkollë në Prishtinë janë 29 shkolla në Kamenicë. 

Mirëpo ekzistojnë avokatë që s’janë as avokatë, ekzistojnë drejtorë që s’janë drejtorë, ekzistojnë gazetarë që s’janë gazetarë, dhe sot reforma është duke u sfiduar.

Sot jemi para një aktvendimi jo profesional të Gjykatës Themelore që kërkon shtyerjen e vendimit për riorganizimin e shkollave. Pezullimin e kanë kërkuar edhe mekanizma të tjerë. E cka na thotë kjo? Kjo po bëhet për t’ju përgjigjur gazetarit që s’është gazetar, avokatit që s’është avokat e drejtorit që s’është drejtor. Nuk e definon reformën as si të drejtë as si të padrejtë. As si të bardhë as si të zezë. As mish as peshk. Dhe në gjykimin e gjykatëses thuhet që Komunës nuk do t’i sillte ndonjë dëm të madh, ndërsa palës ankuese dënim të pariparueshëm. Kthimi në gjendjen e mëparshme nënkupton dëm i pariparueshëm për fëmijët dhe ndikon jashtëzakonisht negativisht në procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies, në menaxhimin e shkollave, si dhe në aspektin buxhetor. Dhe ky është regres i pastër në arsim. Sipas gjykatëses së rastit, fëmijët e Komunës së Kamenicës nuk kanë nevojë për kushte më të mira mësimi, për toalete funksionale, për shokë e shoqe, për pedagogë e psikologë.

Ne do të ndjekim vijën institucionale dhe do ta respektojmë ligjin, edhe pse na duhet kohë për ta organizuar sistemin sepse aktualisht nuk ka kushte për një organizim të tillë. Shumë shpejt do ta ankimojmë këtë aktvendim pranë Gjykatës së Apelit, sipas të drejtës sonë dhe ashtu siç ka ndërruar raporti final i Avokatit të Popullit, do të ndërrojë edhe ky vendim aspak profesional. Pavarësisht inateve, pavarësisht synimeve ulteriore personale të 2-3 personave. Pavarësisht rrymave kundër-progresive në këtë vend, e ardhmja e cilësisë në arsim mund të shtyhet, por do të vijë.