Qëndron Kastrati, kryetar i Komunës së Kamenicës.

Qëndron Kastrati thotë se është shëruar nga COVID-19

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka deklaruar se është shëruar plotësisht nga COVID-19.

Kastrati deklaroi se nuk ka pasur asnjë simptomë dhe që asnjë nga kontaktet e tij nuk ka rezultuar pozitiv, përfshirë këtu familjen e kolegët.

“Sipas protokollit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, konsiderohet se jam shëruar plotësisht nga pandemia COVID-19. Janë bërë 25 ditë që nga kontakti me një person që ka rezultuar pozitiv, 21 ditë prej që jam izoluar dhe 17 ditë nga testimi për këtë virus. Për gjithë këtë periudhë fatmirësisht nuk kam pasur asnjë simptomë dhe konsiderohet që kam qenë prej të infektuarve asimptomatik”, ka shkruar ai në rrjetin social “Facebook”, duke shtuar se shqetësimi i tij ka qenë nëse ishte bartës i virusit tek personat me të rrezikuar nga kjo sëmundje.

Ai ka deklaruar se pas punës nga shtëpia, do t’i rikthehet tashmë punës në komunë.

“Por, në këtë situatë unë jam tejet i lumtur që asnjë nga kontaktet e mia nuk kanë rezultuar pozitiv, përfshirë këtu familjen e kolegët. Arsyeja është shumë e thjeshtë! Kujdesi dhe respektimi i udhëzimeve nga organet kompetente. Këtë periudhë, zyrën e kam zhvendosur në shtëpi dhe kam punuar prej aty, kurse tani do i rikthehem punës në komunë për qytetarët tanë”, ka shkruar Kastrati.

Më tej ai ka apeluar të gjithë qytetarët që të respektojnë masat mbrojtëse ndaj COVID-19, sic janë maskat, dezinfektimi dhe pastrimi i shpeshtë i duarve dhe distanca sociale.

Numri i të infektuar me COVID-19 në Kosovë ka arritur në 2991, prej tyre 1744 të shëruar dhe 54 të vdekur.

Kryetari i Kamenicës rezulton pozitiv me COVID-19