Qëndron Kastrati. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qëndron Kastrati kërkon edhe një mandat për Kamenicën

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka njoftuar se do të kandidojë për një mandat të dytë në krye të kësaj komune.

Kastrati përmes një postimi në Facebook nuk ka dhënë detaje nëse është kandidat i pavarur, por vetëm ka thënë që lista prej 29 kandidatëve është një ‘listë briliante’.

“Gjithësecili kandidat përfaqëson integritet personal e profesional, ndershmëri e zell për punë. Është listë gjithëpërfshirëse me kandidatë nga zona të ndryshme të komunës e nga kategori të ndryshme shoqërore”, ka shkruar Kastrati në Facebook.

Qëndron Kastrati i ka fituar zgjedhjet në vitin 2017 si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje. Pas ndarjes së kësaj partie Kastrati ka kaluar në PSD.

PSD përmes një njoftimi të bërë ditë më parë ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 17 tetorit.

Postimi i plotë i Qëndron Kastratit: 

Albina është titulli. Naimi është vula.
Kandidatët e tjerë janë teksti dhe përmbajtja e deklaratës sime për kandidaturë për mandatin e dytë.
E gjithë lista përfaqëson program e gjeografi. Mbi te gjitha perfaqëson synimin për barazi. 29 emra, secili më i vlefshëm se tjetri. Të radhitur me short sepse jemi bashkë në këtë projekt.
Një grua shembullore, arkitekte e suksesshme në Zvicërr, Albina ka vendosur që të kthehet në Kosovë. Interesimi i saj për zhvillimet në Kamenicë ka qenë i vazhdueshëm dhe gatishmëria e saj për të kontribuar në vendin ku u lind e u rrit është e pashembullt. Së bashku do të punojmë për projekte zhvillimore për të ardhmen e Kamenicës.
Naimi ia jep vulën listës më të mirë në historinë e Kamenicës. Punëtor më të madh e më të ndershëm nuk gjen. Kontributi i tij për zhvillimin e bujqësisë, njohja në detaje e secilit aspekt të kësaj fushe e bën Naimin njërin prej drejtorëve më të suksesshëm ndonjëherë. Jam krenar që e kam krah të djathtë.
Pa modesti e them se lista është brilante. Gjithësecili kandidat përfaqëson integritet personal e profesional, ndershmëri e zell për punë. Është listë gjithëpërfshirëse me kandidatë nga zona të ndryshme të komunës e nga kategori të ndryshme shoqërore. Të gjithë të përkushtuar për punë, të gjithë të dëshmuar në punë e në shoqëri. Rradha e kandidatëve është përcaktuar me short, sepse janë projektet të cilat do t’i prezentojmë që kanë rradhitje sipas rëndësisë e që të gjithë ne do të angazhohemi barabartësisht për të ardhmen e fëmijëve, të rinjve, për bujkun, pacientin, ndërmarrësin e mjeshtrin. Për të sjellë Kamenicën në një fazë të re të zhvillimit. Për projekte ambicioze. Në ditët në vazhdim do të prezentojmë listën që e bindë secilin, listën që do të fitojë bindshëm!
Unë sot e deklaroj kandidaturën time për Kryetar të Komunës së Kamenicës.
Bashkë fitojmë!