Qëndron Kastrati. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qëndron Kastrati flet për rikandidimin e tij për kryetar të Kamenicës

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ende nuk ka marr vendim nëse do të kandidoj ose jo për kryetar të kësaj komune.

Kastrati, ka thënë për KALLXO.com se shumë shpejtë do të marr vendim lidhur me këtë çështje.

“Të ju them të drejtën, për shkak të situatës me pandeminë dhe vërshimet e fundit që ndodhën, nuk kam pasur shumë kohë t’a mendoj dhe të vendosë për këtë gjë, por besoj që shumë shpejt do ta marr një vendim lidhur me këtë çështje”, tha Kastrati.

I pari i Kamenicës shtoi se qëllimi i tij i vetëm është që më shumë të fokusohet në përgjegjësitë e jo në privilegjet që i jep detyra e kryetarit.

“Prandaj, më duhet të paraqes qasjen time lidhur me projektet, mësimin, programin me të cilën qeverisim, si dhe ato që mendojmë se duhet të bëhen në Kamenicë”, tha ai.

Sipas Kastratit, janë qytetarët e kësaj komune që e vendosin se çka është me e nevojshmja dhe e duhura për ta.

Qëndron Kastrati, në zgjedhjet e vitit 2017, ka kandiduar për kryetar të Komunës së Kamenicës, përmes Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai në raundin e parë të zgjedhjeve komunale kishte fituar 33.69 për qind të votave, apo i pari në listë krahasuar me kandidatët e subjekteve tjera.

Kastrati, kishte shkuar në balotazh me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës Shaip Surdulli.

Rezultatet kishin treguar se Qëndron Kastrati kishte fituar 55.57 për qind të votave krahasuar me kundër kandidatin që kishte 44.43 për qind të votave.

Në fillim të vitit 2018, Kastrati kishte dhënë dorëheqje nga strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Duke qenë i zhgënjyer me situatën e krijuar dhe duke shpresuar që ky veprim i imi ta kthejë vëmendjen te nevoja urgjente për zgjidhjen këtij problemi, unë vendosa të jap dorëheqje nga Këshilli i Përgjithshëm dhe pozicionet drejtuese në strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje”, kishte shkruar Kastrati në Facebook.

Gjatë vitit 2018, në Lëvizjen Vetëvendosje kishin dhënë dorëheqje disa deputet dhe kryetar të komunave.

Qëndron Kastrati- Dorëheqja e Radhës nga Strukturat e VV-së

Aktualisht Qëndron Kastrati, është nënkryetar i Partisë Socialdemokrate e Kosovës – PSD.